Rajoni

Edhe serbët e Kosovës po marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë!

Dhjetë ditë pasi në Kosovë nisi regjistrimi i popullsisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), janë regjistruar mbi 200 mijë banorë rezidentë nga të gjitha komunitetet. Sot në një konferencë shtypi, Avni Kastrati, kryeshef ekzekutiv në ASK tha se deri tani janë regjistruar edhe banorë të komunitetit serb nga katër komunat veriore të Kosovës.

Ka edhe pjesëmarrës nga komuniteti serb nga të gjitha komunat e veriut. Ne mendojmë që në ditët në vijim, një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit.

Ky njoftim vjen pasi më 5 prill, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, vuri në dukje se “serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë”.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk u mbajt në katër komuna të veriut  e që janë Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok, si dhe Zveçan, që të katërta të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e patën bojkotuar procesin.

Sipas statistikave që ASK-ja publikoi në një konferencë për media, deri tani janë regjistruar rreth 206 mijë banorë të deklaruar si shqiptarë, afro 2 mijë të deklaruar si serbë e në shifra më të vogla janë nga komunitetet e tjera në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, 93 persona kanë preferuar të mos deklarojnë etninë, të paktën deri në këtë fazë të regjistrimit.

Në konferencën e sotme për media, zyrtarët e ATK-së thanë po ashtu se kanë pranuar disa ankesa mbi punën e regjistruesve në terren. Avni Kastrati e konfirmoi lajmin, por nuk i specifikoi arsyet.

Kemi qenë të detyruar që t’i shkëpusim disa kontrata të regjistruesve për shkak se i kanë tejkaluar kompetencat që kanë marrë gjatë trajnimeve.

Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion, prej tyre afërsisht 25 mijë janë serbë. Por, sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare serbe në Kosovë, në këtë vend jetojnë rreth 100 mijë pjesëtarë të komunitetit serb. Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë zhvillohet nga data 5 prill e deri më 17 maj.