Bota

Egjipti kërkon armëpushim në Gaza para Muajit të Ramazanit!

Lufta e pamëshirshme në Lindjen e Mesme e ka rraskapitur Gazën. Ndihma është e ngadaltë, e pamjaftueshme dhe sa vjen e bëhet më e domosdoshme që të shpallet një armëpushim i përhershëm përpara fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit e që fillon pas pak ditësh. Ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, i cili mbajti një fjalim në Forumin Diplomatik në Antalia të Turqisë e ku pati një sesion special për Gazën, theksoi:

Situata jashtëzakonisht kritike në Rripin e Gazës kërkon që komuniteti ndërkombëtar të marrë përgjegjësinë e tij për të lehtësuar vuajtjet e civilëve dhe aktivizuar mekanizmin ndërkombëtar që synon lehtësimin dhe monitorimin hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza, në zbatim të rezolutës 2720 ​​të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në takimin ku morën pjesë edhe përfaqësues palestinezë e nga Turqia, Shoukry përsëriti:

Që nga 8 tetori, Egjipti e ka mbajtur të hapur kalimin e Rafahut, por përpjekjet tona të vazhdueshme për të ofruar ndihmë për Rripin e Gazës hasin pengesa që pengojnë hyrjen. Kësaj i shtohen sfidat me të cilat përballet UNRWA pas pezullimit nga disa vende donatore të kontributeve të tyre financiare duke rritur kështu shkallën e tragjedisë humanitare në vazhdim.

Më pas, ministri egjiptian përsëriti shqetësimin e tij për “pasojat jashtëzakonisht negative” që mund të ketë një sulm tokësor izraelit në Rafah dhe për “përkeqësimin e situatës në terren në Bregun Perëndimor me ritmin në rritje të inkursioneve ushtarake izraelite, të cilat rrezikojnë të shkaktojnë shpërthimin e situatës”.

Egjipti po bën të gjitha përpjekjet me partnerët e tij për të arritur një armëpushim para muajit të Ramazanit, pavarësisht presionit të kohës.

I shokuar nga vrasja e mbi 100 personave që prisnin ndihmë humanitare në Gaza, shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi se mund të kërkohet hetim i pavarur. Duke folur në nisje të një samiti, Guterres nuk e fshehu “tronditjen” nga episodi i fundit në luftën Izrael-Hamas, që vijon prej 7 tetorit të vitit të kaluar. Sipas autoriteteve palestineze janë vrarë mbi 30 mijë civilë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Ndërkaq, Izraeli zotohet të mos ndalet derisa të shkatërrohet Hamasi, organizatë radikale, e shpallur “terroriste” nga Amerika dhe Bashkimi Europian.