Politikë

Ekskluzive/ Dy avokatët refuzuan mbrojtjen, Gjykata cakton një tjetër avokate për Berishën, TCH siguron pamjet

Teksa dy avokatët që ishin caktuar falas nga gjykata për Sali Berishën, Rabije Cenalia dhe Jalldiz Kastrati hynë në gjykatë dhe ishin nën vëmendjen e medias, një avokate e tretë kryesisht u filmua nga gazetarja Anila Hoxha, duke hyrë qetësisht në ambientet e Gjykatës së Posaçme.

Sikurse gazetarja e Top Channel raporton, Valentina Todoresku ishte pjesë e planit të Gjykatës, në rast se Cenalia dhe Kastrati do të hiqnin dorë nga mbrojtja e ish-kryeministrit.

Në fakt, të dy e dhanë dorëheqjen dhe avokatja Valentina Todoresku, që ishte thirrur më herët nga GJKKO, u fut në sallë për të përfaqësuar Sali Berishën.

Njoftimi i Gjykatës:

– Në datën 26.10.2023, ora 15.00, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u riçel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt “Marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”.

– Të pranishëm në sallën e gjykimit ishin prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millona, ndërsa i hetuari Sali Berisha u përfaqësua nga mbrojtësit e caktuar kryesisht nga gjykata, av.Rabije Cenalia dhe av.Jalldiz Kastrati.

– Gjykata bëri me dije se pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09.45, është depozituar një kërkesë nga shtetasi Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares nga gjykimi i kësaj çështje. Mbi këtë kërkesë, me vendimin nr.430 Akti, datë 26.10.2023 të GJKKO është vendosur mospranimi i kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, si të pabazuar në prova dhe në ligj.

– Mbrojtësit e caktuar kryesisht nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes dhe në këto kushte, referuar listës së avokatëve kryesisht, gjykata caktoi si avokate kryesisht av.Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për tu njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.

Top Channel