Rajoni

Ekspertët: Mali i Zi po hyn në një periudhë mungese stabiliteti politik!

Mali i Zi po hyn në një periudhë jostabiliteti politik e do të duhen dhe disa zgjedhje derisa situata të stabilizohet. Kështu tha për Radion Evropa e Lirë profesori i Universitetit të Bostonit, Vesko Garçeviç. Sipas tij, i vetmi koalicion i qëndrueshëm do të ishte ai i formuar nga Lëvizja Europa Tani dhe koalicioni  i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve, “por është e diskutueshme nëse kjo është e mundur”.

Si një tjetër variant të mundshëm të koalicionit qeverisës, profesor Garçeviç sheh një qeveri të pakicës, të përbërë nga Lëvizja Europa Tani dhe partitë e pakicave kombëtare, me mbështetjen e koalicionit rreth Partisë Demokratike të Socialistëve.

Opsioni i tretë, teknikisht për Garçeviçin, mund të jetë Lëvizja Europa Tani dhe Lëvizja Ura e kryeministrit aktual, Dritan Abazoviç.

Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Filip Axhiç tha se dita e zgjedhjeve kaloi si në shtetet më të zhvilluara demokratike.

Presidenti i vendit, Jakov Milatoviç, tha se pret që qeveria e re të formohet shpejt, “në mënyrë efikase e në përputhje me vullnetin elektoral të qytetarëve”.

Qeveria e re duhet të vazhdojë rrugën e reformave dhe mbi të gjitha, të përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve, sundimin e ligjit e përshpejtimin e integrimit europian.

Edhe ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në një deklarim për media theksoi se pret që qeveria e re të formohet sa më parë.

Ne kemi tre vjet që jetojmë në një kohë konfuze dhe është pothuajse e pashmangshme në jetën e çdo njeriu, çdo vendi, një fazë normale e asgjë më shumë se kaq. Mendoj se tashmë fotografia është pastruar pjesërisht, mendoj se do të kenë mundësi të formojnë qeveri.

Partitë dhe koalicionet kanë dhënë premtime të ndryshme, përfshirë jetesë më të mirë, paga e pensione më të larta, blerje të favorshme të banesave dhe rritje të përfitimeve sociale.