Bota Rajoni

Dridhet toka, bie tërmet në Malin e Zi!

Një tërmet i magnitudës 4.7 i shkallës Rihterit u regjistrua sot në afërsi të Nikshiqit, në Malin e Zi, siç njoftoi Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), por pa njoftime për dëme. Nuk raportohen të lënduar.

Epiqendra e lëkundjes ishte 32 kilometra në veriperëndim të Nikshiqit, në një thellësi prej dhjetë kilometrash. Dridhjet e tokës u regjistruan në orën 10:40 të ditës së sotme.

Disa persona kanë shkruar në rrjetet sociale se kanë ndjerë dridhje të tokës në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi. EMCS-ja tha se epiqendra e tërmetit ishte 28 kilometra në verilindje të Bileças në Bosnjë dhe 80 kilometra në juglindje të Mostarit.

Zona përreth Nikshiqit, qytetit të dytë më të madh në Mal të Zi e që ndodhet në perëndim të shtetit të vogël ballkanik, po ashtu u godit dje në mbrëmje nga një tërmet 4.3 Rihter, çka tregon se vijon aktiviteti sizmik.

Në një tjetër kontinent, në Azi vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit për të mbijetuar nga tërmeti i magnitudës 7.2 Rihter që goditi Tajvanin dhe ishte më i fuqishmi që ka përfshirë këtë ishull, në të paktën 25 vjet. Fillimisht, u lëshuan paralajmërime për cunami në jug të Japonisë e në Filipine, por më vonë autoritetet i tërhoqën. Epiqendra ishte në qarkun lindor malor të Hualienit ku 77 vetë kanë mbetur nën rrënoja. 7 vetë humbën jetën e mbi 700 u plagosën.

Autoritetet thanë se 60 nga 77 personat e bllokuar nën rrënoja ndodhen në një tunel në veri të qytetit Hualien, ndërsa dy shtetas gjerman kanë ngecur në një tunel tjetër. Qeveria tajvaneze konfirmoi se numri i të plagosurve është 736.

Tërmeti ndodhi rreth orës 08:00, sipas asaj lokale. Burime zyrtare në Tajvan deklaruan se tërmeti kishte një thellësi prej 15.5 kilometrash.

Kina e gatshme të ofrojë ndihmë për Tajvanin pas tërmetit shkatërrimtar. Një zyrtare tha se janë shumë të shqetësuar për situatën e se Pekini po monitoron situatën. Tajvani ka një qeveri të pavarur që nga viti 1949, por Kina e konsideron demokracinë vetëqeverisëse pjesë të territorit të saj.