Bota

Ekuadori nxjerr ushtrinë në qytet pas sulmit të bandave ndaj burgut!

Ekuadori kishte dislokuar ushtrinë sot rreth pallatit presidencial Palacio de Carondelet, pas shpalljes së gjendjes së emergjencës prej një sulmi të bandave në një burg të vendit.

Presidenti Daniel Noboa tha se përveç arratisjes së një trafikanti të njohur, sulmuesit kishin marrë peng katër oficerë policie, në një tjetër krizë sigurie për vendin latin.

Presidenti 36 vjeçar i zgjedhur në tetor është zotuar të luftojë krimin e lidhur me trafikun e drogave, në vendin e rëndësishëm të tranzitit të drogave drejt SHBA dhe Evropës.

Tashmë Noboa ka shpallur 60-ditë gjendje emergjence pas arratisjes së banditit Jose Adolfo Macias, i njohur edhe si “Fito”.

Pas bastisjes së burgut, zyrtarët thanë se katër oficerë policie ishin marrë peng në dy sulme të veçanta në Machala dhe në Quito.

Pretendimet shoqëroheshin dhe me një video të shpërndarë në rrjet ku shiheshin tre oficerët të ulur me grykët e armëve të drejtuara ndaj tyre.

Në video, një  prej oficerëve i jepet për të lexuar një deklaratë të pengmarrësve të supozuar, ku thuhet: “Ju na shpallni luftë dhe ne do të bëjmë viktima të luftës policë, ushtarë e civilë”.

Presidenti Noboa reagoi më pas duke thënë kërkon të vendosë kontrollin e situatës në vend dhe në burgje.

Më herët ai kishte njoftuar se do të ndërtonte dy burgje të tjera si ato që kishte ndërtuar homologu i tij në Salvador, Nayib Bukele.