Aktualitet Sociale

ERE nuk rishikoi çmimin e energjisë, Shoqata e Bukës: E pamundur të plotësohen kushtet!

Përmes një reagimi, kryetari i Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia thotë se kushtet e vendosura nga Enti Rregullator i Energjisë janë të pamundura të zbatohen. Ai i referohet vendosjes së dy sahateve, ndërsa ERE vendosi të mos rishikohet çmimi i energjisë elektrike.

Para disa ditësh, ju dhatë vendimin e ERE-s për mos ndryshim të çmimit të energjisë për furrat e bukës. Ka një situatë ndryshe. Ne kemi kërkesën zyrtare ndaj ERE-s, të cilën do jua bashkangjis më poshtë ku theksohet se nga ERE janë ndryshuar kushtet për vendosjen e dy sahateve, të cilat janë të pamundura të plotësohen. Për detajet mund t’ju bëj interpretim të problematikës. Me respekt Gëzim Peshkopia.

Kujtojmë se Enti Rregullator i Energjisë, ERE dhe furrat e bukës e të prodhimit të miellit nuk ranë dakord lidhur me rishikimin e çmimit për furnizimin me energji elektrike të aktivitetit të furrave të bukës.

Në vendimin e bërë publik nga ERE, arsyetohet se FSHU nuk ka plotësuar kriteret, mbi të cilat do të mund të vlerësohen e të analizohen kostot e aktivitetit, si dhe niveli i të ardhurave.

Kërkesa për rishikimin e çmimit të energjisë u depozitua pak muaj në parë, ku shoqata kërkonte aplikimin e drejtë e jodiskriminues të çmimeve të energjisë elektrike ndaj klientëve, si dhe përfitimin e çmimit vetëm për aktivitete të caktuara.

Sipas tyre, ndarja e ambienteve për qëllime të faturimit të energjisë së konsumuar ka shkaktuar probleme, si dhe abuzime duke sjellë rritje të kostove për shumë furra buke e prodhues mielli. Por, pavarësisht këtyre qëndrimeve, Enti Rregullator i Energjisë, ERE nuk iu mori parasysh kërkesën.