Aktualitet

Escobar: SHBA-ja, politikë kryesore integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE!

Zëvendësndihmës Sekretari për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit, njëherësh i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-ja vazhdon ta ketë si politikë kryesore ndaj Ballkanit Perëndimor mbështetjen e këtyre vendeve për integrim në Bashkimin Evropian.

Në deklarimet e para që kur u emërua në këtë pozitë, Escobar tha se qasja e administratës amerikane ndaj rajonit nuk ka ndryshuar dhe kjo është integrimi evropian i këtyre vendeve.

Administrata e re do te fokusohet shumë në mesazhin që rajoni duhet të jetë pjesë e BE-së, të bëjë reformat e nevojshme për këtë. Ne shohim mundësi të jashtëzakonshme ekonomike të rajonit”, tha Escobar në një debat online të organizuar nga Qendra për Politika Evropiane.

 “Ne do të mbështesim përpjekjet e dialogut të BE-së për Serbinë dhe Kosovën për të zhvilluar marrëdhënie më të ngushta dhe pastaj për të hyrë së bashku në BE”, tha Escobar. “Qëllimi nuk është vetëm njohja e ndërsjellë (Kosovë-Serbi) por edhe integrimi në BE-së. Rajoni duhet të jetë në paqe i plotë dhe pjesë e BE-së”, shtoi ai.

Diplomati amerikan tha se Departamenti i Shtetit përmes ambasadave në Kosovë dhe Serbi do të punojë që të dyja vendet të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur në Bruksel dhe të sigurohen se liderët e orientojnë energjinë në dialog dhe jo t’i shmangen atij.

Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak foli për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe SHBA-së në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

Zyrtarët e lartë të BE-së dhe SHBA-së e potencojnë bashkëpunimin trans-atlantik për dialogun Kosovë -Serbi për faktin se ndërmjet viteve 2018-2020, derisa dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ishte pezulluar, administrata e atëhershme amerikane kishte filluar një proces paralel të dialogut ndërmjet dy vendeve i cili kulmoi me arritjen e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator 2020.