Art & Kulturë

EUROSTAT “flet”, shqiptarët punojnë me orët më të zgjatura në Europë dhe kanë pagat më të ulëta!

Sipas një artikulli të fundit nga Monitor, bëhet e ditur se punonjësit shqiptarë kanë orët e punës më të gjata në Europë, së bashku me vende të tjera të rajonit. Sipas Eurostat, një europian punoi mesatarisht 37.5 orë në javë në vitin 2022, ose 6.2 orë më pak sesa një shqiptar.

Pas shqiptarëve, më gjatë punojnë serbët me 43.3 orë. Për Maqedoninë e Veriut, të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2020, ku mesatarja ishte 40.9 orë. Sipas Eurostat, në vitin 2022, java e zakonshme e punës për personat e moshës 20-64 vjeç në BE ishte mesatarisht 37.5 orë.

Të dhëna të tjera tregojnë se ndonëse kanë orët më të zgjatura të punës, punonjësit shqiptarë kanë pagat më të ulëta në Europë. Shqipëria kishte pagën më të ulët mesatare në rajon në vitin 2022, me rreth 520 euro secila (bruto), sipas të dhënave nga institutet statistikore përkatëse.

Rikujtojmë, se në vitin 2022, rreth 8.3% e popullsisë së BE-së, nuk ishin në gjendje të përballonin një vakt, që përmbante mish, peshk ose ekuivalent vegjetarian një herë në dy ditë, një pikë përqindje (pp) më e lartë, krahasuar me vitin 2021 (7.3%). Për Shqipërinë, të dhënat i përkasin vitit 2021, por ato janë ndër më të lartat në Europë, duke reflektuar pamundësinë për të blerë dhe përgatitur ushqimin e duhur.