Auto & Moto

Fabrika hungareze e Audi-t thyen rekord botëror!

Fabrika hungareze e markës gjermane të makinave, Audi, gjatë vitit 2023 ka prodhuar 177 mijë makina vetëm në qytetin Gyor të Hungarisë. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijarto, ka njoftuar se me këtë hap, Audi Hungaria ka shënuar një rekord të ri botëror.

Gjithashtu, ai shtoi se Mercedes është duke e zgjeruar fabrikën e tij në Kecskemet, ndërsa BMW po e ndërton selinë në Debrecen, të dy këto qytete hungareze. “Hungaria është bërë pjesë e një klubi elitar me Kinën dhe Gjermaninë, ku të tre markat gjermane kanë një bazë të pavarur këtu”,-tha Szijarto. Ndërkaq, edhe prodhuesi kinez i makinave elektrike, BYD, pritet të hapë fabrikën e parë evropiane në Hungari pas hapjes së fabrikave të mëdha kineze dhe koreane.

Rikujtojmë, se Audi së fundmi ka prezantuar versionin e ri Audi Q8 e-tron Dakar, të fuqizuar nga dy motorë elektrikë 300 kW dhe një bateri me kapacitet prej 106 kWh. Ky model elektrik vjen me dy lloje të gomave. Nëse është duke u drejtuar nga gomat standarde, makina arrin shpejtësinë 100 km/h në vetëm 5,8 sekonda, ndërsa nëse është duke u drejtuar nga gomat General Grabber AT3 atë shpejtësi e arrin për 5,9 sekonda.