Aktualitet

Fier, zjarri në Peshtan çon në zbulimin e municioneve luftarake që mund të jenë nga ’97-ta!

Forca të ushtrisë kanë shkuar në Fier pasi zjarri që vijon prej ditësh në Peshtan nxori zbuluar municione luftarake që dyshohet se i përkasin periudhës së trazirave të vitit 1997. Në zonë janë dëgjuar shpërthime të fishekëve që si pasojë e flakëve dolën shumë pranë rrugës Fier-Cakran.

Po vijojnë që të luftojnë me flakët zjarrfikësit në masivet pyjore të Peshtanit e Kreshpanit në Fier. Gjashtë mjete zjarrfikëse e 80 forca ushtrie gjenden në terren. Në ndihmë të tyre shkoi një helikopter Cougar ndërsa zjarri përparon, i favorizuar nga era e temperaturat e larta. Prej mesnate, një vatër aktive mori përhapje më të gjerë, duke rrezikuar dhe të tjera banesa në Kraps, përveç atyre që u dogjën një ditë më parë.

Gjithashtu, zjarre pati në fshatin Çeprat të Vlorës. Për pasojë, u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me bimë e pemë. Ndërkohë u rrezikuan banesat. Flakët ranë dhe në fshatin Risili, deri në anë të rrugës.

Dy vatra u shfaqën në bashkitë e Tepelenës e të Memaliaj. Forcat zjarrfikëse në terren po punojnë për lokalizimin e shuarjen e flakëve.

Një tjetër vatër zjarri është ndezur sot në fshatin Hekal të Mallakastrës, në një zonë kodrinore, kryesisht të mbjellë me ullinj. Në vendngjarje shkuan efektivët zjarrfikës të Bashkisë Mallakastër për të lokalizuar e shuar zjarrin.

Zjarri favorizohet dhe nga era e fortë teksa terreni i vështirë e bën thuajse të pamundur fikjen e flakëve me mjete zjarrfikëse, ndërsa po punohet me pompa dore e mjete rrethanore.