Bota

Zjarre masive në Kili, 51 viktima/”Faji” i El Ninjos!

Zjarre masive në Kilin qendror, 51 viktima. Shifrën e njoftoi presidenti Gabriel Boric. Zyrtarët kilianë thanë se të paktën 1 mijë e 100 shtëpi janë shkatërruar nga zjarret. Duke folur për televizionin publik, presidenti kilian paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet, për shkak të përhapjes së katër vatrave në rajonin Valparaiso, ku zjarrfikësit po hasin vështirësi që të arrijnë në lagjet më të rrezikuara.

Boric iu bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me ekipet e shpëtimit.

Nëse juve ju kërkohet të evakuoheni, mos ngurroni! Zjarret po përhapen me shpejtësi dhe kushtet klimatike mund ta bëjnë të vështirë shuarjen e tyre. Temperaturat janë të larta, erërat të forta, ndërsa lagështia e ulët.

Ministrja e Brendshme e Kilit, Carolina Toha, tha se 92 zjarre pyjore janë duke përparuar në pjesët qendrore dhe jugore të vendit, ku temperaturat janë ngritur në mënyrë të pazakontë këtë javë. Rajoni i Valparaisos u godit nga zjarret më vdekjeprurëse, ndaj autoritetet u kanë bërë thirrje mijëra banorëve të evakuohen nga shtëpitë e tyre.

Në Villa Independencia, një lagje buzë kodrës në cepin lindor të Valparaisos, u shkatërruan disa shtëpi dhe biznese. Veturat e djegura me xhama të thyera u panë nëpër rrugët e mbuluara me hi.

Unë jetoj këtu që prej 32 vitesh dhe kurrë nuk e kam menduar se kjo gjë do të ndodhte një ditë, tha Ronaldo Fernandez, një banor të cilit zjarri i dogji shtëpinë.

Ai deklaroi se së pari pa një zjarr duke u djegur në një kodër aty afër të premten dhe brenda 15 minutave, e gjithë zona u pushtua nga flaka dhe tymi, duke i detyruar të gjithë të ikin për të shpëtuar.

Kam punuar tërë jetën dhe tani nuk më ka mbetur asgjë.

Tre vend-strehime u vendosën në rajonin e Valparaisos dhe u çuan 19 helikopterë e më shumë se 450 zjarrfikës për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Fenomeni natyror i klimës, i njohur si El Ninjo, ka shkaktuar thatësira dhe temperatura më të larta se zakonisht përgjatë pjesës perëndimore të Amerikës Jugore këtë vit, duke e rritur rrezikun për zjarre pyjore.