Sport

FIFA bën publike listën e klubeve shqiptare me merkaton e bllokuar, Tirana dhe kush tjetër?

Në futbollin shqiptar, jo pak çështje pagash futbollistash kanë shkuar në dyert e UEFA-s dhe FIFA-s, ku janë marrë dhe masa ndëshkuese për klubet shqiptare duke iu bllokuar merkatoja e transferimeve. Klubet shqiptare prej vitesh janë pjesëtare të rregullta të listave të FIFA-s sa i përket bllokimit të dritareve të merkatos për shkak të gjyqeve që kanë humbur për detyrime ndaj ish-lojtarëve apo trajnerëve. Situata vazhdon të jetë njëlloj problematike edhe në sezonin aktual dhe kjo tashmë mund të konstatohet lehtësisht nga kushdo FIFA ka krijuar një seksion të posaçëm në faqen e saj të internetit që u kushtohet klubeve që kanë merkaton e bllokuar, një faqe që përditësohet çdo javë dhe ku mund të konstatohet lehtësisht nga kushdo nëse një klub ka apo jo mundësinë që të bëjë ndërhyrje në një dritare të merkatos apo sa të tilla janë të bllokuara nga ndërkombëtarët.

Në situatën aktuale, në Shqipëri merkaton e kanë të bllokuar 2 klube të Superiores, një i Kategorisë së Parë dhe një klub i cili ekziston tashmë vetëm në letër. Tirana dhe Laçi janë dy klubet e Superiores të bllokuara nga FIFA. Bardheblutë rezultojnë të jenë të bllokuar për tre dritare të merkatos (deri në verën 2025) me vendime të dhëna më datën 26.10.2023 dhe 10.01.2024, pra e fundit vetëm dy ditë më parë. Ndërsa për Laçin, rezulton bllokimi po përsëri me tre dritare të merkatos, me vendimet e dhëna më datën 18.10.2023 dhe 07.11.2023. Në Kategorinë e Parë, janë kryesuesit e Bylisit ata që kanë të bllokuar merkaton e transferimeve për tre dritare gjithashtu. Vendimet për ballshiotët janë të datave 09.10.2023 dhe 03.01.2024. Ndërkaq, klubi i katërt është ai i KS Luftëtarit i cili praktikisht nuk ekziston më pasi është shkrirë dhe për shkak të detyrimeve të prapambetura ndaj lojtarëve me vendime të dhëna në vitet 2020, 2022 dhe 2023, ka dritaren e merkatos të bllokuar pa limit të caktuar nga FIFA nëse rikthehet në aktivitet.