Aktualitet

Fluks i lartë fermerësh që aplikojnë për subvencione e naftë falas/Nuk ka bllokim sistemi!

Arrin në 22 mijë numri i aplikimeve të fermerëve për skemat kombëtare të bujqësisë. Kjo sipas të dhënave të përditësuara të Ministrisë së Bujqësisë. Aplikimet për përfitimin e subvencioneve dhe naftës falas nisën dje e përfundojnë më 11 prill.

Gjithashtu, Ministria e Bujqësisë sqaron se në ditën e parë të aplikimeve, për shkak të fluksit të lartë pati ngarkesë e ndalesë të sistemit, por jo bllokim të tij. Ky dikaster nënvizon se fluksi në shtim tregon që fermerët kanë rritur besimin në mbështetje të skemave për bujqësinë.

Ndërkohë, 17 mijë e 814 fermerë aplikuan vetëm në ditën e parë për përfitimin e subvencioneve direkte dhe naftës falas nëpërmjet skemës kombëtare për bujqësinë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dje numri i aplikimeve në 12 qarqet e vendit për subvencionet arriti në 10 mijë e 138 e 7 mijë e 676 për përfitim të naftës falas apo rreth 40% e numrit total të aplikimeve më 2022-shin.

Me numrin më të lartë të aplikimeve për masat mbështetëse në bujqësi dhe blegtori kryeson qarku Vlorë me 1 mijë e 919 aplikime, në Korçë u kryen 1 mijë e 705 aplikime nga fermerët, në qarkun e Gjirokastrës 1 mijë e 308 dhe në Fier 1 mijë e 050.

Aplikimet për masën e naftës kanë arritur 7 mijë e 676 për të përfituar 1.7 milion litra. Qarku me aplikimet më të larta është Fieri. Në ditën e parë, numri i tyre arriti në 2 mijë e 293 fermerë, ndjekur nga qarku i Korçës me 1 mijë e 807 aplikime.

Për këtë vit, parashikohet që fondi i vënë në dispozicion për naftë falas është 1.3 miliard lekë.  Gjatë vitit 2022, përfituan naftë falas rreth 35 mijë fermerë me një fond prej rreth 1.95 miliard lekësh.

Udhëzimi i përbashkët i ministrive të Bujqësisë e Zhvillimit Rural dhe të Financave e Ekonomisë përcakton se në dallim nga viti i kaluar, mbështetja me naftë do të përfitohet vetëm për mbjelljet e sezonit të parë. Ndryshimi tjetër ka të bëjë me madhësinë totale të fermës, e cila parashikohet të jetë me sipërfaqe jo më pak se 1 ha (nga 0.4 ha e zbatuar deri tani), ndërsa madhësia e parcelave mbetet e njëjtë, me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.