Bota

Fermerët në Bullgari i bashkohen protestave me traktorë kundër kufizimeve të BE!

Fermerët në Bullgari iu bashkuan sot protestave në të gjithë kontinentin evropian kundër rregullave kufizuese të Bashkimit Evropian duke bllokuar rrugët me traktorë, teksa kërkonin mbështetje nga shteti dhe çmime më të mira për prodhimet e tyre.

Fermerët bënin gjithashtu thirrje për reduktim të politikave kufizuese të prodhimit dhe ndalim të prodhimeve bujqësore nga Ukraina.

“Dy vitet e fundit për ne kanë qenë një ferr, nuk kemi çfarë humbasim më”, tha një fermer i intervistuar për rrjetin AFP, ndërsa një tjetër ankohej se autoritetet “lëshojnë thuaje përditë kufizime të reja absurde ndaj bujqësisë për të mos e lejuar të bëhet kompetitive”.

Qindra fermerë bullgarë bllokuan sot rrugët në rajone të ndryshme të vendit duke protestuar për kompensim të humbjeve të bujqësisë dhe kundër importeve të lira nga Ukraina që favorizohen nga zyrtarët.

Protestat e sektorit të bujqësisë është parë në të gjitha vendet e BE javët e fundit.

Demonstratat në Francë e Rumani duket se kanë humbur paksa ritmin, ndërsa fermerët në Hollandë, Spanjë, Letoni e Itali vijojnë të kërkojnë me forcë të drejtën e tyre në bllokada.

“Prodhuesit bujqësorë të mesëm e të vegjël në Bullgari janë duke falimentuar nëse nuk ka ndryshime, nëse nuk ka pagesa të menjëhershme të subvencioneve të prapambetura, si dhe për dëmet që po vuajmë nga importet nga Ukraina”, tha prodhuesi i grurit 42 vjeçari Ventsislav Mitkov, për rrjetin AFP, në një bllokim rruge pranë qytezës perëndimore të Breznik.

Mitkov e dhjetra fermerë të tjerë të zonës kanë bllokuar rrugën drejt Serbisë me traktorët e tyre dhe zotohen të bashkohen nesër në bllokadën e madhe në qytetin fqinjë Pernik.

Disa fermerë me traktorë u mblodhën sot dhe në një kryqëzim të rëndësishëm të rrugës që lidh Sofien me Greqinë, duke u rënë borive të traktorëve dhe duke penguar trafikun.

“Ata po bëjnë që çmimet tona të bien duke importuar produkte të lira nga vende jashtë BE, dhe në të njëjtën kohë ne na vënë kufizime të reja për të mos na lejuar të konkurojmë në treg”, tha 35 vjeçari Miloslav Mihaylov, në lidhje me rregullat e BE.