Aktualitet Travel

Fluks udhëtarësh e vizitorësh në Durrës e Sarandë!

Fluks udhëtarësh në portin e Durrësit, mbi 9 mijë persona u regjistruan në hyrje-dalje në fundjavë. Sipas Autoritetit Portual, në hyrje u përpunuan 9,147 pasagjerë dhe 3,270 mjete, ndërsa në dalje, numri është më i ulët. APD thekson se “janë marrë të gjitha masat për përpunimin pa vonesa dhe krijimin e lehtësirave të nevojshme për udhëtarët”.

Policia Kufitare e Durrësit është angazhuar maksimalisht për përballimin me sukses të fluksit të madh në hyrje, të turistëve dhe pushuesve. Në njoftimin e Policisë theksohet:

Me sportele dhe burime njerëzore  të shtuara, turistëve dhe pushuesve që kanë zgjedhur vendin tonë për të kaluar pushimet, u ofrohet një shërbim cilësor, i shpejtë dhe i kulturuar, duke eleminuar vonesat dhe burokracitë.

Pavarësisht fluksit të lartë në hyrje, Policia Kufitare e Durrësit është e angazhuar maksimalisht edhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare që mund të ndodhin duke përfituar nga situata e fluksit të lartë të lëvizjes.

Edhe qyteti bregdetar i Sarandës gjatë muajit qershor shënoi një fluks të madh vizitorësh të huaj. Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga porti.

Porti i Sarandës – Aty ku çdo ditë mirëpriten turistë që vijnë në rrugë detare dhe siç tregojnë shifrat vetëm gjatë muajit qershor ka pasur një qarkullim prej 68,068 vizitorësh të huaj, plot 24% më shumë krahasuar me gjithë vitin 2021. Aspak burokraci, kontrolle minimale për turistët dhe kushte të rehatshme në pritjen e tyre.

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/334007778948512/?t=0

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma dhe drejtori i portit, Alket Qendro vizituan sot portin, ku mirëpriten çdo ditë turistët që vijnë në rrugë detare.

Drejtori i portit, Qendro thekson se “portin e vizitojnë thuajse çdo ditë tragetet e shpejtë, si dhe tragetet e linjës Sarandë-Korfuz. Turistët zbresin në port dhe hipin në autobus pa kontroll policor vetëm me biletën. Kjo ka krijuar lehtësira sipas turistëve, pasi po të kontrolloheshin do të merrte shumë kohë”.

Kemi arritur kulmin para 4 ditësh me 1600 turistë në një ditë.  Ka edhe turistë javorë, që qëndrojnë gjatë një jave. Me vitin 2019 jemi akoma më mirë, ka rritje të numrit të turistëve.

Saranda përveç diellit e plazhit njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është Kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj me historinë e tij mijëravjeçare.