Bota

Forcat izraelite vrasin katër anëtarë të Xhihadit Islamik në qytetin e Bregut Perëndimor

Larg Gazës, dhuna po vazhdon të shpërthejë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në qytetin e ndezur të Jeninit, janë bërë funeralet për katër anëtarë të fraksionit të armatosur, Xhihad Islamik, të vrarë nga ushtria izraelite gjatë natës. Njëri thuhet gjithashtu se ka qenë themelues i Brigadave Jenin, një grup lokal luftëtarësh.

Banorët thonë se një sulm izraelit me dron goditi një shtëpi në qendër të kampit të refugjatëve Jenin dhe se më pas pati shkëmbime të rënda zjarri mes ushtarëve izraelitë dhe personave të armatosur palestinezë.

Buldozerët ushtarakë izraelitë shkatërruan harkun e veçantë të dyfishtë në hyrje të kampit si dhe një memorial të bërë nga hekurishtet e mbetura pas një operacioni të madh izraelit në 2002. Disa dyqane u shkatërruan.

“Duket si Gaza,” thotë një gazetar lokal. Zyrtarët palestinezë shëndetësorë thonë se që nga 7 tetori më shumë se 120 palestinezë në Bregun Perëndimor janë vrarë nga forcat izraelite të sigurisë dhe kolonët izraelitë. Disa komunitete palestineze gjithashtu janë zhvendosur me forcë nga kolonët.

Një koalicion prej 30 grupesh të të drejtave të njeriut dhe OJQ-ve në Izrael po i lutet komunitetit ndërkombëtar të ndalojë valën e dhunës së kolonëve.

“Kolonët kanë shfrytëzuar mungesën e vëmendjes publike ndaj Bregut Perëndimor, si dhe atmosferën e përgjithshme të zemërimit kundër palestinezëve”, shkruajnë ata në një letër të përbashkët.

Por, kush është grupi Xhihadi Islamik?

Xhihadi Islamik palestinez është themeluar më 1981 me qëllim që të krijojë një shtet islamik palestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor, Gazë, dhe territore të tjera palestineze që tani i përkasin Izraelit.

Ky grup cilësohet si organizatë terroriste nga Departamenti amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropian dhe qeveri të tjera.
Sikurse edhe Hamasi – me të cilin ndan pikëpamje ideologjike – edhe Xhihadi Islamik zotohet për shkatërrimin e Izraelit.

Në gusht të vitit 2022, emri i Xhihadit Islamik u bë më i njohur për publikun, pas shpërthimit të dhunës në Rripin e Gazës. Atëbotë, Izraeli raportoi se vrau disa liderë të grupit. Por, edhe në vitet paraprake, Izraeli ka kryer sulme ndaj këtij grupi.

Në Rripin e Gazës, Xhihadi Islamik është një nga dy grupet kryesore të militantëve palestinezë, krahas me Hamasin që qeveris me këtë territor të gjatë 40 kilometra e me 2.3 milionë banorë.

Pavarësisht se ndajnë pikëpamje të ngjashme ideologjike dhe kanë bërë bashkë forcat në sulmet e fundit ndaj Izraelit, Xhihadi Islamik me veprimet e tij në të kaluarën, sikurse gjuajtja e raketave dhe mosmarrja e përgjegjësisë për sulmet, si dhe mosrespektimi i armëpushimeve, ka minuar autoritetin e Hamasit në Gazë.