Bota Tech

Franca ndalon shitjet e iPhone 12 prej nivelit të lartë të radiacionit të emetuar !

Franca ka ndaluar shitjet e celularit të kompanisë Apple, iPhone 12 prej emetimit të lartë të radiacionit elektromagnetik te përdoruesit.

Agjencia franceze e monitorimit të radio-frekuencave i ka kërkuar gjithashtu gjigantit të teknologjisë të riparojë celularët ekzistues të përdoruesve.

Grupi shtetëror ANFR ka këshilluar Apple se nëse nuk mund të riparojë problemin serioz me anë të përditësimit të programeve, atëherë të rikthejë të gjithë celularët iPhone 12 që ka shitur në vend

Por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka tentuar të shuajë më parë shqetësimet për radiacionin e lëshuar nga celularët, duke thënë se “nuk ka prova që të tregojnë se ekspozimi ndaj fushave të ulëta elektromagnetike të shkaktojë dëme te njerëzit”.

iPhone 12 ka dalë në treg fillimisht në shtator 2020, dhe vijon të shitet në të gjithë botën.

Apple tha për rrjetin BBC se po konteston vlerësimin e agjencisë franceze ANFR’, dhe se ka dorëzuar rezultatet laboratorike të saj dhe palëve të treta që tregojnë se janë “në përputhje me rregullat”.

Por ANFR ka zbuluar se masa e absorbimit të valëve elektromagnetike të iPhone 12’s është më e madhe nga sa lejohet ligjërisht.

ANFR kërkon që pajisjet të kontrollohen në dy mënyra për radiacionin e dëmshëm që emetojnë.

Së pari është kontrolli i gjymtyrëve të personit kur ai është në afërsi të aparatit, si i mbajtur në dorë ose në xhepin e tij. Limiti i radiacionit elektromagnetik duhet të jetë jo më shumë se katër vat për kilogram.

Rregullatori thotë se në hulumtimet e tij radiacioni në aparatin në fjalë ishte në masën 5.74 vat per kilogram.

Kontrolli i dytë bëhet për rastin kur celulari është pak më larg, si në çantë ose në xhepin e xhaketës, të cilin iPhone 12 raprotohet se e kishte kaluar pa probleme.

Agjencia franceze shkruante: “Apple pritet të kthejë përgjigje brenda dy javëve, në rast të kundërt jemi gati të njoftojmë tërheqjen e të gjithë celularëve iPhones 12 në qarkullim, rregullat janë njëlloj për të gjithë, edhe për të mëdhenjtë”.

Franca tha se do të ndajë zbulimet e saj me agjenci të tjera rregullatorë të bllokut, që mund të shkaktojë një efekt domino me të njëjtat pasoja.