Aktualitet

GJK shfuqizoi një nen të Bordit të Transparencës, Jorida Tabaku: I paplotë, të ndërpritet biznesi me krizën!

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një nen në Bordin e Transparencës për Karburantet, opozita e quan jo të plotë. Në një postim, deputetja demokrate, Jorida Tabaku kërkon të ndërpritet menjëherë ai që e cilëson “biznes me krizën”.

Postimi i Tabakut:

E kam quajtur që në fillim bordi komunist, bordi i oligarkëve sepse në fakt më pak se sa pesë kompani janë përfitues prej tij dhe është rasti unik në botë ku biznesi ulet me qeverinë e përcakton çmimin në kurriz të qytetarëve. Prej vendimeve abuzive dhe korruptive të këtij bordi qytetarët kanë paguar 600 mln euro taksa shtesë nga rritja e çmimit që kanë shkuar te kompanitë dhe tek buxheti i shtetit! Ky biznes me krizën duhej patjetër ndërprerë menjëherë, ndërkohë që GJK vendosi se antikushtetues tek ky bord është afati kohor i papërcaktuar.

Pra, ia la në dorë qeverisë ta ndërpresë. Ndërkohë që për bordin e çmimit të ushqimeve me të njëjtën bazë, ligjore dhe me të njëjtin arsyetim në ngritje e gjeti plotësisht antikushtetues ndërsa bordin e karburanteve e gjeti pjesërisht! Unë nuk i kam sulmuar e nuk do t’i sulmoj kurrë gjykatat e prokurorët si bën rëndom shumica e politikës, por sot kushdo duhet të pyesë veten si ka mundësi që dy borde që janë krijuar me të njëjtën mënyrë, zbatojnë të njëjtën bazë ligjore, e janë firmosur nga të njëjtët gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese jepen dy vendime të ndryshme. Si mundet që dy pika uji të ngjashme të njëjta, Gjykata Kushtetuese i gjen të ndryshme.

Dje, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë e ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.