Aktualitet

GJKKO, pro sekuestros së pasurive të ish-gjyqtarit të lartë, Admir Thanza!

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për vënien në sekuestro të pasurive të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza

Në vitin 2018, Thanza u shkarkua në kuadër të procesit të Vetting-ut, pasi iu gjetën probleme në të tre kriteret e rivlerësimit, mes të cilave dhe ai i pasurisë. Sipas përfundimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, “pasuria nuk justifikohej me burime të ligjshme”.

Për këtë arsye, ashtu siç ka vepruar edhe me disa ish-anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë, SPAK-u nisi hetimet për të, duke kërkuar së fundmi vendosjen e sekuestros ndaj një apartamenti dhe një garazhi, në pronësi të Thanzës në Tiranë.

Rasti i ish-gjyqtarit bëri bujë, pasi gjatë procesit të Vetting-ut në korrik të 2018-ës u zbulua se kishte patur një dënim me 40 ditë burg për vjedhje në Itali, të cilin nuk e kishte deklaruar.

Në fund të majit 2019, u shpall fajtor dhe u dënua me 9 muaj burg “Për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit”. Po ashtu, Gjykata vendosi ta pezullojë dënimin e caktoi detyrimin e Thanzës për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës për 18 muaj e të mos kishte kontakte me persona të papërshtatshëm gjatë kësaj periudhe. Prokuroria kishte kërkuar 1 vit e 6 muaj burg, ndërsa vetë i akuzuari pretendonte se ishte i pafajshëm. Referuar legjislacionit e Gjykatës Italiane të Kasacionit, u shpreh se në shtetin fqinj nuk kishte një dënim ndaj tij, por ishte një marrëveshje me prokurorin.

Mora përsipër një sanksion penal për të shpëtuar jetën e nipit tim dhe do ta bëja gjithmonë. Nuk ka një vendim dënimi apo masë sigurimi personal ndaj meje.