Celebrities Gossip Music Showbiz

Goditi me mikrofon fansen e tij në koncert, paditet 50 Cent!

Artisti 50 Cent është paditur nga një fanse pasi dyshohet se ai goditi me një mikrofon që hodhi drejt turmës në një nga koncertet e tij. Verën e kaluar reperi, emri i vërtetë i të cilit është Curtis James Jackson, ishte në skenë duke performuar në “Cyrpto.com Arena” kur mikrofoni i tij hasi disa vështirësi teknike. Gjatë këtij koncerti, të zhvilluar më 30 gusht të vitit të kaluar, në Los Angeles, krijuesi i hitit “In da Club”, u detyrua të ndërronte mikrofonin e tij disa herë.

Mirëpo, pavarësisht se e ndërroi, mikrofoni sërish nuk punonte dhe si pasojë, 50 Cent e hodhi atë me inat drejt audiencës që po ndiqte koncertin e tij. Për fat të keq, mikrofoni raportohet se ka lënduar DJ Bryhana Monegain dhe ajo u dërgua me urgjencë në spital pas incidentit. Më vonë u shfaqën fotografitë e prezantueses së radios “Power 106” me një plagë të rëndë në ballë dhe së shpejti u bë një raport policor kundër artistit.

Çështja më pas u paraqit si një krim në Prokurorinë e Qarkut të LA, përpara se të dërgohej në zyrën e Prokurorit të qytetit të LA.

“Në këtë kohë, asnjë akuzë penale nuk është ngritur kundër Jackson. Rasti do të qëndrojë i hapur për një vit nga data e incidentit. Nëse nuk ka kontakte të mëtejshme policore me Jackson, ky rast do të mbyllet pas një viti nga data e incidentit“, raportoi policia në atë kohë.

Megjithatë, në dokumentet e reja të gjykatës, pretendohet se Monegain po padit 50 Cent dhe pretendon se ajo ka pësuar lëndime të rënda dhe të përhershme pas aksidentit. Dokumenti i dorëzuar së fundmi, siç raportohet nga Page Six, pretendon se gruaja kërkon rimbursim për humbjet e pagave në të kaluarën dhe të ardhmen, si dhe shpenzimet spitalore dhe mjekësore.

Monegain gjithashtu dyshohet se dëshiron të rimbursohet për dëmet e përgjithshme, tarifat e avokatëve dhe kostot e padisë deri më tani. Megjithatë, avokati i 50 Cent, Scott Leemon, ka deklaruar më parë se klienti i tij nuk e ka goditur me qëllim fansen.