Aktualitet Bota

Raketat ruse godasin Kievin për herë të tretë në katër ditë!

Raketat ruse e kanë goditur kryeqytetin ukrainas, Kievin, në orët e para të 24 marsit, cka përbën sulmin e tretë “masiv” në këtë qytet në katër ditët e fundit.

Serhiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të Kievit, ka thënë në platformën Telegram se aktualisht nuk ka raportime për viktima.

Sulmet në kryeqytet kanë zgjatur rreth dy orë.

Raketat ruse e kanë goditur edhe rajonin perëndimor të Lvivit, duke nxitur Poloninë, vend anëtar i NATO-s, që të rrisë alarmin në mbrojtjen e saj ajrore.

Varshava ka raportuar që një raketë e ka shkelur hapësirën ajrore shtetërore afër qytezës Oserdov.

Kryetari i Lvivit, Andriy Sadovyi, ka thënë në Telegram se asnjëra prej raketave nuk e ka goditur qytetin, ndonëse e kanë pasur cak “infrastrukturën kritike”.

Forca ajrore ukrainase ka raportuar se 18 prej 28 raketave dhe 25 prej 28 sulmeve me dronë janë bllokuar.

Ndërkohë, zëvendësministrja e Energjisë Svitlana Grynchuk, ka thënë më 23 mars që më shumë se 1 milion ukrainas kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e sulmeve ruse në rrjetin elektrik më 22 dhe 23 mars.

“E kemi kuptuar që objektivi i tyre kryesor është sistemi energjetik”, ka thënë Grynchuk.

“Sulmi i tyre një ditë më parë ka qenë ndoshta më i madhi prej nisjes së luftës”, në shkurt të vitit 2022.

Më shumë se 250.000 njerëz është raportuar të kenë mbetur pa energji elektrike vetëm në rajonin e Harkivit.

Sulmi i fundit ka ndodhur pak orë pas sulmit të së premtes në një sallë koncertesh në periferi të Moskës, duke lënë 133 persona të vdekur.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi ekstremist Shteti Islamik, duke thënë se ka kryer sulm të madh kundër “të krishterëve”.

Zyrtarët amerikanë e kanë konfirmuar vërtetësinë e deklaratës së grupit.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe zyrtarë tjerë të Rusi sugjerojnë – pa ofruar dëshmi – se Ukraina ka qenë e përfshirë në sulm.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka mohuar çfarëdo lidhje me sulmin.