Aktualitet Bota Sport

Grusht arbitrit nga presidenti i klubit, ndërpritet futbolli në Superligën turke! (VIDEO)

Një ngjarje tejet e rëndë u regjistrua në futbollin turk mbrëmjen e së hënës.

Drejtuesit e futbollit turk i pezulluan në mënyrë të menjëhershme të gjitha ligat pasi një gjyqtar u godit me grusht nga një president klubi pas një ndeshjeje të Superligës.

Halil Umut Meler u godit nga presidenti i MKE Ankaragucu, Faruk Koca, i cili vrapoi në fushë pasi ekipi i tij pësoi golin e barazimit në minutën e 97-të në barazimin 1-1 me Caykur Rizespor.

“Ndeshjet në të gjitha ligat janë shtyrë për një kohë të pacaktuar. Ky sulm është një natë turpi për futbollin turk”, tha në një konferencë shtypi kreu i federatës turke,  Mehmet Buyukeksi.

Meler mori goditje dhe nga persona të tjerë ndërsa ishte shtrirë në tokë dhe pësoi lëndime, duke përfshirë një frakturë të lehtë. Incidenti shkaktoi skena kaotike ku u përfshinë lojtarë dhe zyrtarë të klubit.

Meler është një nga gjyqtarët më të mirë të Turqisë dhe drejton ndeshje ndërkombëtare për FIFA-n. Ai është gjithashtu në listën e elitës së arbitrave të UEFA-s.

Presidenti Erdogan reagoi gjithshtu pas skenave tronditëse.

“Dënoj sulmin ndaj gjyqtarit Halil Umut Meler pas ndeshjes MKE Ankaragucu-Çaykur Rizespor të luajtur këtë mbrëmje dhe i uroj shërim të shpejtë. Sport do të thotë paqe dhe vëllazëri. Sporti është i papajtueshëm me dhunën. Nuk do të lejojmë kurrë që të ketë dhunë në sportet turke”, tha Erdogan.