Aktualitet Bota

Grupi i dialogut miraton planin e punës për Reformën Zgjedhore…

Grupi i Dialogut i ngritur mes Rithemelimit dhe mazhorancës ka miratuar planin e punës për Reformën Zgjedhore. Pasi komisioni ku bashkëkryetar ishte Enklejed Alibeaj i PD, u mbyll pa produkt, tashmë puna është zhvendosur në grupin e dialogut.

Sipas planit të punës të miratuar ditën e sotme, drafti për ndryshimet ligjore duhet të shkojë në Kuvend për votim jo më vonë se data 1 korrik, ndërsa vitin e ardhshëm mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.

Sipas kalendarit të punës, në datën 24 prill do të shqyrtohen propozimet për zonën zgjedhore. Mbetet për t’u parë nëse palët do të dakordësojnë për 1 zonë zgjedhore siç ka propozuar PD, apo propozimin për 4 zona zgjedhore nga aleatët, ose nëse do mbetemi me sistemin aktual me 12 zona zgjedhore. Po më 24 prill do shqyrtohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për herësin.

Ndërkohë, më 30 prill do diskutohet votimi i shqiptarëve jashtë vendit. Brenda datës 15 maj do të vendoset nëse do ketë depolitizim të komisioneve zgjedhore.

Lulzim Basha ka mbetur jashtë grupit të dialogut, ndërsa 6 anëtarët kanë në duar edhe propozimet e Partisë Demokratike.

Grupi i dialogut u krijua si një mekanizëm i Komisionit të Ligjeve me anëtarë të barabartë pozitë-opozitë pikërisht për të çuar me konsensus drejt seancave plenare ligjet që kërkojnë 84 vota, reformat e rëndësishme por edhe ligjet që lidhen me integrimin në BE