Rajoni

Hashim Thaçi del sot për herë të dytë para Gjykatës së Hagës

Prokuroria Speciale në Hagë ka mbledhur 43 mijë faqe material kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së nën akuzë për krime lufte e kundër njerëzimit. 153 janë dëshmitarët dhe akuza pretendon se disponon rreth 100 mijë prova, përfshirë raporte, deklarata, foto, dokumente të UÇK-së e mbi 20 orë regjistrime audio-vizive.

Sot zhvillohet Konferenca Statusore mbi ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Pritet që aty Prokuroria të paraqesë llojin e provave që disponon. Seanca do të fillojë nga ora 11:00. Thaçit i’u konfirmua aktakuza më 5 nëntor i cili po atë ditë u arrestua dhe u dërgua në objektin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ndërsa, më 9 nëntor Thaçi u paraqit për herë të parë në gjyqin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritur nga Dhomat e Specializuara. Pala mbrojtëse tha se do të dorëzojë kërkesën për lirimin e përkohshëm të Thaçit.