Aktualitet

TIMS, Gogu-Salianjit: Sot dita e ekspertëve, jo e gjyqit të radhës!

Komisioni Hetimor parlamentar për çështjen e të dhënave të sistemit TIMS, ka nisur me diskutime në lidhje me planin hetimor të propozuar nga ekspertët, por që ende nuk kanë dalë me një plan të përbashkët.

Tre ekspertë kanë gjetur dakordësi për planin, teksa eksperti i katërt ka plan tjetër hetimor. T’i dëgjojmë planet hetimore të paraqitura, tha deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, kryetar i komisionit.

Ju po ju duket sikur zonja në fjalë ka planin e saj, unë se kam këtë ndjesi, prandaj duhet ta lejojmë që ta dëgjojmë, u shpreh nënkryetari i komisionit, deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu.

Më tej, Gogu theksoi:

Këtë moment të përgatitjes së draftit e drejtojnë ekspertët. Propozoj që të dëgjohen ekspertët deri në fund dhe pasi ata nuk kanë gjë për të thënë të hapet një seancë pyetjesh. Kjo është dita e ekspertëve, jo e jona që të vazhdojmë me gjyqin e radhës. Menjëherë t’i kthehemi normalitetit dhe t’i shmangim komentet pexhorative të tipit që sot nuk është dita e teorisë.

Debati mes tyre vijoi edhe më tej ndërsa nënkryetari Toni Gogu, tha se ekspertët në këtë fazë kanë qasje të ndryshme precedurale në lidhje me Planin Hetimor.

Më vjen jashtëzakonisht keq që kemi hyrë në një kurth. Ata kanë diskutime midis tyre për qasje proceduriale. Nuk do më dëgjoni mua t’u vë etiketime ekspertëve apo t’u vë nofka. Partia Socialiste ka një plan hetimor, kemi dhe votat. Por po presim siç thotë ligji që ekspertët të propozojnë. Në këtë moment ata kanë dy qasje procedurale. E keni çuar në drejtim të paditur këtë komision”, deklaroi Gogu duke replikuar me kryetarin e komisionit hetimor,  Salianji.

Komisioni hetimor parlamentar “TIMS” ka në fokus hetimin e rrjedhjes së të dhënave nga sistemi TIMS. Për hetimin parlamentar janë kërkuar dokumente dhe informacione shtesë nga një sërë institucionesh shtetërore të tilla si Kryeministria, Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, SHISH, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK e po ashtu Trupi Diplomatik i akredituar në Shqipëri.

Komisioni hetimor u ngrit me kërkesën e Partisë Demokratike, PD.