Aktualitet

Hiqen vizat për shqiptarët që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit!

Zëvendësministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Fariz Rzayev dhe zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Besart Kadia nënshkruan marrëveshjen për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit.

Ambasadori azer në Shqipëri, Anar Huseynov reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X” duke u shprehur se ky është një tjetër kontribut i fuqishëm në marrëdhëniet dypalëshe.

Fariz Rzayev, Zëvendës Ministër i Jashtëm i Azerbajxhanit, dhe Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Besart Kadia, folën për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona, me fokus ndërveprimin ekonomik dhe kontaktet mes njerëzve. Takimi pasoi me nënshkrimin e marrëveshjes për përjashtimin e vizave – një tjetër kontribut i fuqishëm në marrëdhëniet dypalëshe.

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ndodhet në Baku të Azerbajxhanit si i ftuar nderi i Presidentit Ilham Aliyev në Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit. Gjithashtu pritet që në këtë takim të diskutohet edhe për ecurinë e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë.

Qeveria po synon që të ndërtojë një qendër të gazit të lëngshëm në Vlorë. Kjo u theksua nga kryeministri Edi Rama, i cili pas dy samiteve të 28 dhe 29 shkurtit në Tiranë, udhëtoi drejt Azerbajxhanit, si i ftuar nderi i presidentit Ilham Aliyev për të adresuar Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit. Teksa vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, Rama theksoi:

Aktualisht, në Shqipëri po kërkojmë që të ecim përpara drejt projektit të gazifikimit të vendit dhe falë mbështetjes së presidentit Ilham Aliyev, këtë proces gazifikimi, duke shkuar kundër asaj që në traditën tonë historike na ishte privuar. Duke u mbështetur në përvojën e suksesshme të bashkëpunimit me TAP-in, në bashkëveprim me partnerët tanë, ne synojmë të ndërtojmë një qendër të gazit natyror të lëngshëm në Vlorë, një qytet kyç bregdetar në jug të Shqipërisë.

Kryeministri Rama theksoi se Korridori Jugor i Gazit e ka bërë më të fortë Bashkimin Europian, pasi ka kufizuar Rusinë.

Sot jemi të gjithë dëshmitarë se Korridori Jugor i Gazit ka ndryshuar tashmë shumë jetë dhe e ka bërë Europën më të sigurt. Me përqindjen e gazit rus në BE që po bie nga 40% aktualisht në 8% dhe së shpejti në 0% dhe në agjendën e gjelbër e në përpjekjet për shkarbonizim në pikën më të lartë, gazi i Azerbajxhanit dhe rajoni Kaspik janë thelbësorë për të ardhmen tonë të përbashkët.

Sa i takon vendit  tim, Shqipërisë, ne jemi të pozicionuar strategjikisht në rrugën e gazsjellësit TransAdriatik, që është një lidhje jetike në Korridorin Jugor të Gazit. Sigurisht, ne synojmë të kapitalizojmë më tej mbi këtë korridor transformues.

Në këtë vizitë, shefi i qeverisë shoqërohet nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, ndërsa pritet të diskutojë dhe për ecurinë e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë, ku tanimë është gati studimi i gazifikimit të zonës së Korçës, si hap i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në Shqipëri, ashtu si dhe është drejt përfundimit studimi i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës.