Bota

Erdogan: Me fundin e pushtimit të Karabakut nga Armenia, u hap dritare historike për paqen në rajon!

Presidenti i Turqisë, Recep Erdogan, tha se me fundin e pushtimit gati 30-vjeçar të Karabakut nga Armenia, u hap një dritare historike e mundësive për paqen e qëndrueshme në rajon, duke shtuar se është “vendimtare” që kjo dritare të mos mbyllet.

Duke folur në një konferencë shtypi në kryeqytetin Ankara së bashku me homologun e tij azerbajxhanas Ilham Aliyev, Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të punojë për të siguruar vleftësimin e kredencialeve të Azerbajxhanit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Ne do të vazhdojmë mbështetjen dhe përpjekjet tona për Azerbajxhanin derisa vendimi (mosratifikimi i kredencialeve të tyre) të anulohet”, tha Erdoğan

Muajin e kaluar, APKE-ja votoi për të mohuar vlefshmërinë e kredencialeve të delegacionit të Azerbajxhanit në organ, duke pretenduar se ai nuk i ka përmbushur angazhimet kryesore në kuadër të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Për lidhjet tregtare, Erdogan tha: “Vëllimi i përgjithshëm tregtar turko-azerbajxhanas vitin e kaluar arriti në 7,5 miliardë dollarë për herë të parë. Ne do të shtojmë përpjekjet tona për të arritur një objektiv prej 15 miliardë dollarësh”, shtoi Erdoğan.

Erdogan mirëpriti sot Aliyevin në kryeqytetin Ankara për të diskutuar të gjitha aspektet e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe hapat për bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy vendeve.

Vizita e Aliyevit në Ankara është udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që kur u rizgjodh në fillim të këtij muaji.