Aktualitet

I njohur në botën e krimit, kush është Shkëlzen Xhenje i arrestuar në Shkodër nga RENEA!

“Metamorfoza”, forcat speciale RENEA arrestojnë në Shkodër një të shumëkërkuar, i cili fshihej në një banesë në fshatin Kuç. Në pranga ra shtetasi Shkëlzen Xhenje. 32-vjeçari konsiderohet si krahu i djathtë i Eljon Hatos, i cili njihet si mik i Ervis Martinajt.

Ai konsiderohet si një person me precedentë të theksuar kriminalë, përfshirë dosjen “Metamorfoza”. Shkëlzen Xhenje dyshohet si i përfshirë në atentatin ndaj Ismet Çekores në vitin 2022. Ai u vra pak metra larg banesës së tij, në lagjen “Guerrile” në Shkodër.

Vetëm 17 ditë pas vrasjes së Ismet Çekores u ekzekutua kushëriri i Shkëlzen Xhenjes, 19-vjeçari Erjon Xhenje. Autori i dyshuar i ngjarjes është djali i Ismet Çekores, 24-vjeçari Bajram Çekorja, ky i fundit i shpallur në kërkim edhe si autor i dyshuar i atentatit ndaj shtetasit Alban Bruçi, ngjarje e ndodhur më 25 gusht po të vitit 2022.

Po ashtu, Xhenje dyshohet për sulmin me armë ndaj Taulant Pepës dhe personit me iniciale K.M. në Shkodër, në vitin 2021. Në pamjet filmike duket qartë se tre persona dalin nga dy makina të ndryshme  “Audi” dhe “Benz-Mercedez” të blinduar S600 me targë “AA 540 RF” në pronësi të Arsad Bashlit, por përdoret nga I.B. Të tre personat mbajnë armë zjarri në duar e njëri prej tyre i drejton pistoletën në kokë Taulant Pepajt dhe i hap derën e makinës. Por, Pepaj kthen mjetin dhe largohet. Pas këtij momenti, dy nga personat, njëri prej tyre Eljon Hato hyjnë në automjetin tip “Audi” dhe largohen. Pas tyre, Shkëlzen Xhenje futet në makinën “Benz-Mercedez” S600 të blinduar dhe ikën nga vendngjarja.

Po ashtu, 32-vjeçari akuzohet se futi sende të jashtëligjshme në burgun e Shënkollit dhe jo vetëm kaq. Në vitin 2017, Shkëlzen Xhenje ka tentuar të vrasë edhe një grua, shtetasen Flutura Muça, më 18 shkurt. Sapo ishte liruar nga burgu për vendoje tritoli në vitin 2011 në banesën e biznesmenit Bledar Canka, ai ka plagosur me armë Muçën, si vrasës me pagesë. Dyshohet se atentati ishte porositur nga kunati i saj./Top Channel