Aktualitet

I shpallur në kërkim “Për shpërdorim detyre”, arrestohet ish-drejtori i Hidrokarbureve Klodian Gradeci

Arrestohet drejtori i Hidrokarbureve, Klodian Gradeci i shpallur në kërkim “Për shpërdorim detyre”. 45-vjeçari u ndalua në vijim të operacionit të koduar “Akciza” që u finalizua më 6 tetor e çoi në 5 të prangosur, mes tyre zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN e punonjës tatimorë. Ndaj Gradecit, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “Arrest në burg”. Në bashkëpunim me dy biznesmenë, njëri prej të cilëve i arrestuar dyshohet se të prangosurit mashtruan duke i shkaktuar AKBN-së një dëm prej rreth 1.5 milionë dollarësh.

Përmes një njoftimi zyrtar nga policia bëhet e ditur se personi në fjalë është arrestuar.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga Prokuroria e Tiranës akuzohen se certifikuan punime të pakryera në bashkëpunim me njëri-tjetrin në qytete ku duhej të investohej nga një kompani për shfrytëzimin e 8 puseve me naftë.