Aktualitet

Impianti fotovoltaik mbi Zadejë, Komiteti i Digave jep ”ok” për KESH-in!

Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha ka dhënë miratimin për projektin e zbatimit të një impianti fotovoltaik që do të vendoset në digën e Zadejës, pjesë e kaskadës së Drinit pas dokumentacionet të paraqitur nga KESH.

“Në mbështetje të Ligjit Nr. 8681, datë 02.11.2000 ”Për Projektimin, Ndërtimin, Shfrytëzimin dhe Mirëmbajtjen e Digave dhe Dambave”, Neni 4, si dhe VKM Nr. 147, datë 18.03.2004 ”Miratimin e Rregullores për Sigurinë e Digave dhe të Dambave” Neni 32, Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM), mori në shqyrtim Projektin e zbatimit për Instalimin e Impiantit fotovoltaik me fuqi 8.25 MWp ne anën e poshtme të digës së Zadejës në HEC Vau i Dejës.

KKDM u përqendrua në dokumentacionin teknik në lidhje me Aspektet strukturore, ndërtimore dhe të qëndrueshmërisë së digës si dhe në monitorimin e digës dhe të impiantit FV në të ardhmen pas vendosjes së tij në digë” thuhet në parashtrimin e Komitetit.

Sipas vendimit bazuar në dokumentacionin teknik të paraqitur nga KESH sha si shfrytëzues i kësaj dige, kushtet aktuale të digës, oponencën e Institutit të Ndërtimit, eksperiencave ndërkombëtare në instalimin e Impianteve FV në diga me material vendi si dhe kërkesave të legjislacionit, KKDM vendosi të miratojë Projektin e Zbatimit të paraqitur nga KESH sh.a për Instalimin e Sistemit fotovoltaik me fuqi 8.25 MWp në anën e poshtme të digës Zadeje në HEC Vau i Dejës.

Njëkohësisht, Komiteti vendosi t’i kërkojë KESH sh.a krijimin e mundësisë së hyrjes tek të gjithë elementët e sistemeve të monitorimit të digës dhe nënobjekteve të saj përmes rrugëve hyrëse, kontrollin e të gjithë elementet të sistemeve te monitorimit te digës që janë instaluar aktualisht dhe ne se është e nevojshme, të kryejë përshtatjen e tyre në kushtet e reja me qëllim kryesor funksionimin e tyre në të ardhmen pa probleme dhe kryerjen e monitorimit të digës në çdo kohë, marrjen e masave për një largim sa më të mirë të zonës ku do të vendosen bazamentet e betonit dhe strukturat mbajtëse të paneleve FV për të eliminuar çdo efekt të erozionit sipërfaqësor që mund të krijohet në anën e poshtme.

Impianti mbi Zadejë

Impianti fotovoltaik mbi digën e Zadejës nuk është i vetmi që KESH ka si pjesë të tij. Tashmë i ndërtuar dhe në funksion është ai mbi digën e Qyrasaqit që gjatë vitit 2023 prodhoi mbi 7000 MWh energji.

Impianti mbi digën e Zadejës që është në hidrocentralin e Vaut të Dejës parashikohet të ketë një kapacitet 8.25 MWp dhe një kosto afërsisht 8 milionë euro. KESH shpalli procedurën vitin e shkuar duke shpallur edhe një bashkim operatorësh si fitues të saj. Kohëzgjatja e kontratës është 41 muaj nga të cilët 17 zbatim dhe 24 mirëmbajtje. /–monitor.al–N.Maho/