Aktualitet

Inceneratori i Fierit, shtyhet seanca në GJKKO për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe Arben Dervishin!

Ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, i cili ka qenë sekretar i Përgjithshëm i dikasterit të Mjedisit, si dhe Arben Dervishi, që të tre të arrestuar në lidhje me inceneratorin e Fierit, dolën sot para Gjykatës së Posaçme, ku do të vendosej në lidhje me kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar.

Por, seanca zgjati vetëm disa minuta. Pasi u njoh me kërkesat e disa prej avokatëve të të pandehurve, trupi gjykues e shtyu seancën për në datën 29 maj në orën 10:00, me arsyetimin se kërkesat janë voluminoze dhe kërkojnë kohë për t’u shqyrtuar. Tashmë do të pritet e hëna e javës së ardhshme.

Ish-ministri Lefter Koka përballet me akuzat “Për shpërdorim detyre”, “Pastrim të parave” dhe “Korrupsion”. Sa i përket Alqi Bllakos, ai akuzohet “Për shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion” se sipas Prokurorisë së Posaçme, SPAK,  ai ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall. Më tej, dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, ndërsa mbi këtë tokë do të ndërtohej inceneratori i Fierit.

Ndërkohë, kujtojmë se në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, më 18 maj, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha pretencën. SPAK-u kërkon që ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka të dënohet me 10 vjet burg. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, “Pastrim parash” e “Korrupsion”. Për Alqi Bllakon, ish-sekretar i Përgjithshëm i dikasterit të Mjedisit, Prokuroria e Posaçme kërkoi 4 vite heqje lirie. Nga 10 vjet burg për secilin u kërkua për Klodian Zoton e Mirel Mërtirin, si dhe 7 për Stela Gugalljan. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ka një zbritje të një të tretës së dënimit. SPAK kërkoi konfiskimin e të gjitha pasurive të sekuestruara dy vjet më parë nga gjykata.

Gjatë pretencës për inceneratorin e Elbasanit, u vu re se SPAK-u iu referua akt-ekspertizës në kompjuterin e Klodian Zotos për të vërtetuar njohjen mes tij dhe ish-ministrit Lefter Koka. Por, ky standart nuk u ndoq për emailet që në të njëjtat rrethana porosisin udhëtime për Arben Ahmetajn. Gjykata e Posaçme vendosi të dëgjojë avokatët dhe të akuzuarit, në datën 1 qershor, ora 09:00.