Bota

Izraeli: Do të mbrohemi kundër çdo sulmi nga Irani!

Ushtria e Izraelit, gati të mbrojë vendin e të përgjigjet, nëse Irani hakmerret për një sulm vdekjeprurës në konsullatën iraniane në Siri, në fillim të muajit. Teherani fajëson Izraelin. Rritja e tensioneve ka shkaktuar shqetësime ndërkombëtare se lufta shkatërruese e Izraelit në Rripin e Gazës kundër Hamasit, mund të përhapet në gjithë Lindjen e Mesme.

Konsullata iraniane në kryeqytetin sirian Damask u shkatërrua nga një sulm i dyshuar izraelit më 1 prill. Shtatë pjesëtarë të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), përfshirë dy gjeneralë, u vranë.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u zotua për hakmarrje:

Izraeli do të ndëshkohet nga duart e burrave tanë guximtarë.

Presidenti Joe Biden, i premtoi Izraelit mbështetje të “palëkundur” amerikane. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh:

Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur sigurinë e Izraelit.

Dy ditë më parë, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se sulmi i Izraelit në Damask ishte i barasvlershëm me një sulm kundër vetë Iranit. Në një fjalim televiziv paralajmëroi:

Kur ata sulmuan zonën e konsullatës sonë ishte sikur të sulmonin territorin tonë. Regjimi i keq duhet të ndëshkohet dhe do të ndëshkohet!

CBS News raportoi se inteligjenca amerikane ka lënë të kuptohet se Teherani është duke planifikuar një sulm që do të përfshijë dronë Shahed dhe raketa lundruese.

Nuk dihet shënjestra e as koha e sulmit të mundshëm, por goditja e një ndërtese diplomatike izraelite do të ishte përgjigje proporcionale.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë pasi priti kryeministrin japonez, Fuimo Kishida, presidenti Biden theksoi:

Siç i thashë kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, përkushtimi ynë ndaj sigurisë së Izraelit kundër këtyre kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij, është i palëkundur. Më lejoni ta them prapë: i palëkundur!

Më 7 prill, një këshilltar i lartë ushtarak iranian e paralajmëroi Izraelin se asnjëra prej ambasadave të këtij vendi nuk janë më të sigurta, pas asaj që ndodhi në kryeqytetin sirian, Damask.

Tensionet rajonale janë rritur duke kërcënuar zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, teksa vijon prej më shumë se 6 muajsh, lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Komentet e gjeneralit Rahim Safavi, i cili është këshilltar ushtarak i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, lanë të kuptohet se Republika Islamike e Iranit nuk do të hezitojë që t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë sulmit ndaj ambasadës iraniane në Siri më 1 prill ku mbetën të vrarë dy gjeneralët iranianë.