Bota

Izraeli-OKB/së: Vendosini të gjitha sanksionet Iranit për sulmet me dronë e raketa!

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi se rajoni i Lindjes së Mesme po përballet me kërcënimin real të një konflikti në shkallë të gjerë. Guterres foli në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit,  aty ku Izraeli dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin se po kërcënojnë paqen në Lindjen e Mesme. Secili prej tyre i bëri thirrje këshillit të vendosë sanksione ndaj palës tjetër. Pas sulmeve me raketa dhe dronë që Irani kreu ndaj Izraelit, Guterres u shpreh:

Lindja e Mesme është në prag shpërthimi. Populli i rajonit po përballet me kërcënimin real të një konflikti shkatërrues në shkallë të plotë. Tani është koha që të shtensionohet situata. Bëj thirrje për përmbajte. As rajoni dhe as bota, nuk mund të përballojnë më shumë luftë.

Por, Izraeli dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin për destabilizimin e situatës në rajon. Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan:

Maskat po bien. Irani, sponsori numër një i terrorit në botë e ka treguar fytyrën e vërtetë si një destabilizues i rajonit dhe botës. Maskat po bien dhe duhet të vishen dorezat. Këshilli i Sigurimit të ndërmarrë veprime!

Erdan i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste dhe “të vendosen të gjitha sanksionet e mundshme ndaj Iranit, para se të jetë shumë vonë”. Në veçanti, ai kërkoi që të aktivizohej një mekanizëm që do t’iu mundësonte shteteve që nënshkruan marrëveshjen bërthamore me Iranin më 2015-ën dhe nga e cila Shtetet e Bashkuara u larguan më 2018-ë, të rivendosin sanksione ndërkombëtare ndaj Teheranit.

Ne kemi një përgjegjësi kolektive si anëtarë të Këshillit të Sigurimit që të sigurohemi që Irani të respektojë rezolutat e Këshillit dhe të ndalë shkeljet e Kartës, tha zëvendësambasadori amerikan në OKB, Robert Wood. Ditët në vijim, Amerika do të eksplorojë masa shtesë për të mbajtur përgjegjës Iranin.

Të shtunën në mbrëmje, Irani nisi një sulm direkt ndaj armikut të tij të përbetuar Izraelit, duke lëshuar mbi 300 dronë dhe raketa. Pothuajse të gjithë dronët dhe raketat u shkatërruan nga Irani dhe shtetet e tjera, përfshirë SHBA-të, Jordaninë e Britaninë.

Irani tha se goditja u krye në kundërpërgjigje të sulmit vdekjeprurës ajror ndaj Konsullatës së Teheranit në Damask të Sirisë, më 1 prill e ku u vranë shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare përfshirë dy gjeneralë. Irani ka fajësuar Izraelin.

Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme, ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani insistoi se Republika Islamike po “ushtron të drejtën e saj të qenësishme të vetëmbrojtjes”.

Këshilli i Sigurimit ka dështuar në detyrën e tij që të ruajë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Prandaj, Teherani nuk kishte zgjidhje, veç të përgjigjej. Nuk kërkojmë përshkallëzim apo luftë, por do të përgjigjem ndaj çdo kërcënimi apo agresioni.

Në fjalën e tij, po ashtu hodhi akuza në drejtim të Izraelit.

Eshtë koha që Këshilli i Sigurimit të marrë përgjegjësinë e tij dhe të trajtojë kërcënimin real ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Këshilli duhet të marrë masa urgjente dhe ndëshkuese për të detyruar këtë regjim që të ndalojë gjenocidin ndaj popullit të Gazës.

Rritja e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit po ndodh në kohën kur lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të e Bashkimi Europian në Gazë ka hyrë në muajin e shtatë.

Lufta nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi Izraelin, duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite në Gaza janë vrarë më shumë se 33 mijë persona, shumica gra e fëmijë, referuar autoriteteve lokale shëndetësore.

Që nga revolucioni në Iran më 1979-ën, Teherani e ka konsideruar Izraelin si armik dhe ka bërë thirrje për shkatërrimin e tij. Deri tani, Republika Islamike ishte përmbajtur nga një sulm direkt ndaj Izraelit, por dy shtetet janë konfrontuar me njëri-tjetrin përmes palëve të treta.