Design Lifestyle

Ja sa pritet të kushtojë diamanti i bardhë më i madh në botë!

Diamanti i bardhë më i madh në botë që ka dalë ndonjëherë në ankand, pritet të shitet për 30 milionë dollarë. Diamanti i quajtur “The Rock” është 228,31 karat, i prerë në formë dardhe, me madhësinë e një topi golfi. Max Fawcett, shefi i departamentit të bizhuterive në shtëpinë e ankandeve “Christie” në Gjenevë tha se:

Shpesh, me këto lloj gurësh, sakrifikohet forma për të ruajtur peshën. Ky diamant ka një formë simetrike të përkryer dhe është një prej gurëve të çmuar më të rrallë të shitur ndonjëherë në ankand.

Çmimet e diamanteve janë rritur për shkak të sanksioneve që i janë vendosur Rusisë, si një ndër prodhuesve më të mëdhenj në botë, por edhe për shkak të shfuqizimit të pjesës më të madhe të kufizimeve për shkak të pandemisë. I nxjerrë nga minierat e Afrikës së Jugut, “The Rock” ka qenë pjesë e një varëse Cartier të mbajtur nga pronari i mëparshëm.

“Christie” gjithashtu do të shesë një diamant të verdhë, në formë jastëku, 205,07 karatësh, që fillimisht është shitur në ankand në vitin 1918 për 10 mijë paund. Sot, ky diamant parashikohet të shitet nga 7 deri në 10 milionë dollarë. Ndërkaq, rikujtojmë se në nder të 75 vjetorit të Festivalit të Kanës që do të mbahet më 17 maj, organizatorët e eventit më të madh të filmit në botë kanë zgjedhur Chopard për të realizuar trofeun e jubileut të Festivalit.

Chopard ka 25 vjet që ‘ushqen’ një marrëdhënie pasionante me këtë event ndaj edhe Palma e këtij edicioni realizuar nga brandi prestigjoz i bizhuterive do të jetë e jashtëzakonshme. Drejtoresha artistike dhe bashkë-presidentja e brandit, Caroline Scheufele, vendosën të rikrijojnë Palmën e Artë duke mbushur dy nga gjethet e saj të vogla me diamante nga furnitorët e certifikuar nga Këshilli Përgjegjës i Bizhuterive.