Aktualitet

“Jam Taulant Balla, urgjent 100 mijë euro”- Kush është “koka” e grupit që mashtron biznesmenët duke përdorur emrat e politikanëve?!

Mbrëmjen e së shtunës (4 maj 2024) në edicionin e lajmeve në Top Channel është publikuar një kronikë, ku bënte fjalë për një histori mashtrimi.

Kronika bënte fjalë për një biznesmen nga Përrenjasi, Flamur Rrushi, ai pretendon se një person e ka telefonuar me aplikacionin viber dhe i ka thënë se jam Taulant Balla dhe më duhen 100-mijë euro urgjent.

Biznesmeni, sipas kërkesës së mashtruesit, ka ardhur në Tiranë me çantën 100 mijë euro dhe ia ka dorëzuar një taksisti.

“Mbajta shënim targat e taksisit”, tha biznesmeni në polici.

Prokuroria e Elbasanit identifikoi taksisitin, i cili deklaroi “isha taksist , erdha në Tiranë nga Lezha dhe mora nga Flamur Rrushi çantën. E pyeta fillimisht nëse është gjë e rrezikshme dhe më tha jo. Kur ia dhashë çantën, më dha 100 euro”, tha taksisti, i cili u la i lirë.

Tch shkruan se është zbuluar se  posedues i kësaj llogarie është shtetasi Florian Gjergji, i cili aktualisht është nën hetim dhe ndaj tij janë dhënë disa masa arresti për të njëjtën skemë mashtruese.

Por kush është Florian Gjergji?

Personi që shihni në foto, quhet Florian Gjergji, i cili konsiderohet nga policia e Tiranës si njeriu që ka organizuar në shumë raste skemën e mashtrimit duke u prezantuar përmes emrave të zyrtarëve të lartë, si Edi Rama, Erjon Veliaj dhe jo vetëm.

Gjergji, gjatë kësaj kohe është bërë protagonist dhe i dy rasteve të tjera të mashtrimit me shuma të mëdha, raste këto që janë zbuluar nga policia, duke çuar në pranga njerëzit e afërt me të cilët Gjergji ka bashkëpunuar në momentin e tërheqjes së lekëve.

Tashmë prej më shumë se 5 muaj, policia dhe prokuroria e Tiranës, janë në ndjekje të Florian Gjergjit, por s’kanë mundur ta arrestojnë.

Përmes kësaj skeme mashtrimi përmes aplikacioneve telefonike nga Janari 2023 e deri më sot, katër biznesmenë janë tentuar të mashtrohen me shumë të mëdha financiare, duke përdorur emra të zyrtarëve të lartë si Erjon Veliaj dhe kryeministri Edi Rama.

Në 4 operacione të ndryshme të Njësisë “E” në Policinë e Shtetit për këto krime u arrestuan 11 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin role dytësore në mashtrim.

Në operacionin e parë të koduar me emrin “Signal” ranë në pranga Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç.

Tre të rinjtë shkodranë tentuan që përmes një mesazhi ku prezantoheshin me emrin “Edi” të mashtrojnë biznesmenin e ndërtimit Pëllumb Salillari duke i kërkuar 130 mijë euro.