Aktualitet

KE rekomandon heqjen e kufizimeve të udhëtimit për disa vende, mes tyre edhe Shqipëria!

Këshilli Europian përditësoi listën e vendeve për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit. Kjo pas një rishikimi bazuar në rekomandimin për heqjen graduale të kufizimeve të përkohshme për udhëtimet jothelbësore në BE. Lista do të vazhdojë të rishikohet çdo dy javë dhe sipas rastit, të përditësohet.

Bazuar në kriteret dhe kushtet e përcaktuara në rekomandim, që nga sot vendet anëtare duhet të heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit në kufijtë e jashtëm për banorët e vendeve të treta vijuese:

Shqipëria
Australia
Izraeli
Japonia
Libani

Zelanda e Re
Republika e Maqedonisë së Veriut
Ruanda
Serbia
Singapori

Koreja e Jugut
Tajlandë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Ndërkaq, Kina mbetet subjekt i konfirmimit të reciprocitetit.

Kriteret për të përcaktuar vendet e treta për të cilat duhet të hiqet kufizimi aktual i udhëtimit u përditësuan më 20 maj 2021. Ato mbulojnë situatën epidemiologjike e reagimin e përgjithshëm ndaj COVID-19, si dhe besueshmërinë e burimeve të informacionit e të dhënave në dispozicion. Reciprociteti duhet të merret parasysh rast pas rasti.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka theksoi rëndësinë e këtij zhvillimi.

Këshilli i Bashkimit Europian ka rekomanduar Shqipërinë në listën e vendeve të cilat mund të rifillojnë lëvizjen e lirë drejt vendeve të Bashkimit Europian. Tashmë, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian sipas të njëjtit regjim me qytetarët e BE-së. Një zhvillim shumë i rëndësishëm, i cili njeh arritjet e Shqipërisë në luftën kundër COVID-19.

Kujdes! Disa prej vendeve të BE mund të kenë protokolle specifike edhe pas këtij rekomandimi!

Përditësimin e listës së Këshillit Europian duke përfshirë Shqipërinë e përshëndeti edhe Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca.

Lajm i mrekullueshëm për qytetarët shqiptarë në fillim të sezonit turistik! Këshilli Europian ka rekomanduar sot zyrtarisht heqjen e kufizimeve të përkohshme të udhëtimit për banorët e Shqipërisë!