Aktualitet

KESH, OST, OSHEE pezullojnë investimet/ Për Bashën, kriza është korruptive!

Qeveria shpalli sot gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, pas krizës globale energjetike. Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se do të zgjasë deri në 15 prill 2022, kur është edhe periudha që pritet të kulmojë kriza. Në vendimin e zbardhur, theksohet se do të ngihet një grup ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, atë të Financave dhe Ekonomisë e çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.

Me hyrjen në fuqi të vendimit të qeverisë për gjendjen e emergjencës do të pezullohen të gjitha planet e investimeve të KESH-it, OST-së e të OSHEE-së, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri duhet të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike. Që të shmanget rritja e menjëhershme faturës së energjisë si pasojë e importit, ngarkohet Ministria e Financave që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë. Kjo me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë.

Për Lulzim Bashën, shkak i kësaj situate janë keqmenaxhimi dhe korrupsioni. Në një konferencë shtypi, kreu demokrat akuzoi kryeministrin Rama se po përpiqet të mashtrojë qytetarët, duke thënë se rritja është e pashmangshme.

Qëllimi i vërtetë është krijimi i kushteve të presionit mbi planifikimet për të rritur çmimet.  U përpoq ta krahasonte situatën me vende të tjera, por nuk ka asnjë paralelizëm mes asaj që po ndodh ne Europë e në vende të tjera, me Shqipërinë. Eshtë një teatër i pështirë mashtrimi, po ju gënjen juve për të bërë që rritja të duket sikur qenka e pashmangshme, në fakt nuk është kështu. Kjo nuk është krizë energjetike është krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi. E keni parë sesi në verë e shesin lirë, me tendera korruptivë, duke shpërdoruar taksat. OSHEE dhe KESH janë ndërmarrje të zhytura në korrupsion e klientelizëm.

Çmimi i karburanteve nuk është i lartë për shkak të ndikimit nga tregjet botërore, por për shkak të taksës Rama. Rreth 30% e karburantit hyn kontrabandë në Shqipëri, ndërsa për këtë, që dje ka nisur hartimi i një kallëzimi që do të dërgohet në SPAK.

Miliona euro nuk hyjnë në arkën e shtetit. Ku shkojnë këto para’, sepse nuk shkojnë as për rroga, as për pensione. Që nga dje, PD-ja ka nisur hartimin e një kallëzimi penal që do ta depozitojë në SPAK, me shpresën dhe urimin që mos të përfundojë në dhomën e pluhurave!

Kryetari demokrat hodhi poshtë akuzat se protesta në Tiranë kundër rritjes së çmimeve, u organizua prej tyre.

Keni parë edhe korrigjimin e bërë në njoftimin e një ambasade. Ne kemi qenë të pranishëm, por jo si politikanë. Kur ne thërrasim protesta, nuk fshihemi. Kemi thirrur e do thërrasim protestat më të mëdha që ka parë ky vend, por nuk duam të biem në kurthin që politizon çdo gjë. Ky është një problem kombëtar. Por që do të jemi aty, do i inkurajojmë e mbështesim, mos kini dyshim!