Aktualitet

Koment nga Zilie Feçi/Numri 6 i “rri” ngushtë ish-kryeministrit!

Edhe pse një muaj festash, dhjetori për Shqipërinë njihet për zhvillime të forta, më së shumti politike. Ashtu do të ndodhë edhe këtë vit. Fiks në 6 dhjetor në Tiranë zbarkojnë liderët e Evropës, për herë të parë në një Samit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Që nga Macron, Scholz, Meloni e shumë të tjerë do zbresin një nga një në kryeqytetin shqiptar për të diskutuar çështje madhore, një prej të cilave pa asnjë diskutim do të jetë integrimi i shpejtë i vendeve të rajonit.

Deri këtu duket se nuk ka asgjë të veçantë, por kur nga kampi opozitar zë vend një deklaratë për një protestë në këtë datë, atëherë diskutimet nuk janë më “kohë e humbur”. Ish-kryeministri Berisha politikisht kërkon vëmendje në çdo gjë. Edhe në rastin kur “e tërë Evropa” zbret në Tiranë.

Edhe atëherë kur pak metra larg selisë së Partisë Demokratike, Gjykata e Apelit ka vendosur po në këtë datë të japë vendimin se kujt i takon partia (nëse nuk shtyhet, siç ka ndodhur në shumë raste). Pra e thënë shkurt, data 6 dhjetor është një “kostum” për Shqipërinë, por që i rri ngushtë ish-kryeministrit Sali Berisha.

Protesta që kërkon Berisha, më shumë se zëri kundër Qeverisë është një kokëfortësi, që nuk ka fund, sepse kur mendon “të vësh vetulla, nxjerr sytë” dhe për ish-kryeministrin, që tenton rikthimin në pushtet kjo do ishte shumë, po shumë e rëndë.

Por, Berishës duket se askush nuk guxon t’i thotë gjë, ndaj dhe kokëfortësia vijoi më tutje. Në të kundërt të kësaj, tashmë janë detyruar të përsëritin kasetën në studio televizive se PD nuk ka asgjë kundër Samitit, por thjesht kërkon të ngrejë zërin për korrupionin e qeverisë.

Këtu nuk kanë vlerë idetë për mikpritjen shqiptare dhe që miku duhet respektuar. Në fund të fundit kjo ka kuptim në bashkësi shqiptarësh, pasi për një të huaj kjo nuk ka të njëjtin konotacion. Çështja është se organizimet kundër samiteve ndërkombëtare bëhen nga lëvizje populiste, si ambientalistët apo antiglobalistët. Nuk është parë kurrë që një parti politike, aq më tepër një parti tradicionale dhe me peshë parlamentare, të organizojë protesta kundër një Samiti me shtetarët më të lartë të Evropës.

E vetmja logjikë pse mund të bëhet një protestë në ditën e Samitit është pse PD-së i janë prerë rrugët nga ndërkombëtarët, nuk ka komunikim me ta, e me këtë rast kjo mund të ish e vetmja rrugë që të dëgjohen. Pra nëpërmjet protestës.

Por, atëherë krerët e Rithemelimit duhet të pranojnë hapur këtë. Që PD-së i janë mbyllur rrugët, që faktori ndërkombëtar e ka nxjerrë jashtë liste si lëvizje e kapur nga Non Grata dhe që ka mbetur një aktor jo relevant politik.

Nuk do të jetë aspak çudi që më vonë, pasi ta ketë bërë proçkën e radhës, ta pranojë se vërtet ka vepruar gabim. Por kjo mund të vijë atëherë kur nuk ka asnjë vlerë, sepse “luga e çorbës së prishur” është gëlltitur, e nuk ka “burrë nëne”, që e zhbën.