Bota

Komisioni Evropian aprovon 4 mld euro për të mbështetur teknologjinë e gjelbër!

Komisioni Evropian ka aprovuar masa për një ndihmë shtetërore prej 4 miliardë euro për të mbështetur sektorin e teknologjisë së gjelbër.

Projekti më i madh vjen nga prodhuesi suedez i baterive, “Northvolt”, që siguroi 902 milionë euro ndihmë nga shteti gjerman, për të ngritur një impiant prodhimi automjetesh elektrike në Gjermani.

Sipas zëvendës presidentes ekzekutive, Margreth Feshtager, impianti do të përshpejtojë tranzicionin energjetik të BE-së dhe reduktojë vartësinë nga karburantet.

Sipas Feshtager, nëse nuk do të lëvrohej ndihma, “Northvolt” do ta ndërtonte impiantin në Shtetet e Bashkuara.

 “Ose nuk do të bënim asgjë, dhe e dimë nga dokumente zyrtare se “Northvolt” do të kishte investuar në Shtetet e Bashkuara, ose mund të bëjmë që një shtet anëtar të marrë ndihmën në mënyrë që investimi të bëhet këtu”,-tha Margrethe Vestager, zv.presidente ekzekutive e Komisionit Evropian.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck vlerësoi aprovimin e ndihmës në kuadër të strategjisë për fuqizimin e industrisë evropiane.

 “Ne do të ishim tërësisht të varur nga Kina ose Shtetet e Bashkuara për prodhimin e baterive, apo të qarqeve gjysmëpërçuese. Kjo vartësi do të ishte kërcënim për të ardhmen. Ndaj, këto janë investime për sigurinë ekonomike”, tha Robert Habeck, ministër i Ekonomisë, Gjermani.

Impianti do të ketë një kapacitet vjetor prej 60 giga vat për orë, që përkthehet në 800 mijë deri në 1 milion automjete elektrike në vit, në vartësi të përmasës dhe baterisë. Prodhimi do të nisë në 2026-n dhe do të arrijë kapacitetet e plota në 2029-n.

Ndërkaq në nëntor 2023, delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nis një fushatë të re që do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë, politikbërësve, shoqërisë civile apo dhe bizneseve rreth çështjeve mjedisore që prekin vendin tonë.

Nën moton “Bëhu pjesë e rrugëtimit të gjelbër, Evropa është këtu” iniciativa nisi në Kurbin, në mënyrë që të ngjisë pjesëmarrjen dhe angazhimin e qytetarëve në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve evropiane.

Fushata nisi me pastrimin e pikës ku bashkohen lumi Fan dhe Mat duke sjelle mbetje të shumta nga fshatrat dhe zonat urbane.

Andrea Rizzo, i ngarkuari me punë i delegacionit të BE dhe shefi politik tha se nëpërmjet këtyre fushatave duan të sensibilizojnë njerëzit që të kujdesen për ambientin dhe se Shqipëria mund të zhvillojë politika që lidhen me standardet e Bashkimit Evropian.

Përmes kësaj fushate dhe angazhimit të BE-së me programe të financuara me vlerë prej 44 milionë eurosh, synohet të forcohet bashkëpunimi për të garantuar një mjedis të qëndrueshëm dhe të pastër për të gjithë qytetarët.

Ky hap i rëndësishëm shënon një angazhim të vazhdueshëm për të përmirësuar situatën mjedisore në Shqipëri dhe për të përforcuar lidhjen midis vendit dhe Bashkimit Evropian në këtë fushë.