Celebrities Live From Tirana

Koncepti i burrërisë, Blendi Salaj: “Boksierët nuk rrihen rrugëve, dinë ku ta përdorin forcën…”

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar në studio moderatori dhe gazetari i njohur Blendi Salaj për të na folur më shumë rreth konceptit të burrërisë. Cilat janë ato veprime që na janë ushqyer me vite për të na bërë burra?

Unë jam prind dhe nuk jam i njëjti burr që isha kur isha 20-vjeç. Gjërat ndryshojnë dhe koncepti ballkanik i burrit është që ai është i fortë, nuk tregon dobësi, nuk qan dhe të vret për një fjalë. Ti sot ke çuna që thjesht se një person i ka gërvishtur makinën, shkojnë edhe vriten. Kjo ndodh sepse burrëria toksike kërkon ta shpagojmë me dhunë dikë që na sheh shtrembër. Janë projektime të një burrërie të brendshme të munguar, një kompleks që më pas e shfaq burrërinë në forma agresive. Kjo shkon pak edhe me nivelin e të kuptuarit, nëse prindërit janë llosha ka gjasa të rrisin fëmijë që rriten keq. 15 vitet e fundit në vendin tonë kanë shkuar keq. Mungesa e tolerancës, e hapësirave me njëri tjetrin çon në konflikt me grushta dhe jo me fjalë. Për mendimin tim kjo nuk ka të bëjë me burrërinë. Burra nuk janë ata që rrahin gratë, por ata që lënë shembuj. Një nga burrat që unë vlerësoj është At Zef Pllumi i cili bëri 26 vjet burg sepse nuk donte të mohonte besimin në zot. Këta lloj burrash më pëlqejnë mua, edhe Al Pacino që shfaq burrërinë nëpërmjet artit.

Si një baba i dy fëmijëve, kur bën llogaritë në fund të ditës si mendon Blendi se ndikon edukata e prindërve në terrenin vërdallë?

Unë nuk jam burri perfekt, jam duke u përmirësuar sepse edhe unë bëj gabime. Mundohem që djalit t’i mësoj, të zhvilloj interesat e veta. I pëlqejnë natyra, zogjtë, planetet, oqeanet, mund të bëhet një shkencëtar i mirë. Gjëja me fëmijët është se mund t’i thuash sa të duash gjëra por nëse nuk e shohin tek ty, nëse nuk i jep shembullin dështojnë.

Sa i përket politikanëve të vendit tonë, si e shfaqin ata burrërinë?

Rasti i djeshëm i Sali Berishës në Kuvend, ishte një element fyes, nuk kishte të drejtë, duhet të priste rradhën si një njeri i edukuar. Ka qenë president 2 herë, kryeministër për shumë vjet. Më pëlqeu gjesti i Alibeaj, që i hapi krahun.

Pse ditët e sotme burrëria matet me preferencat që dikush ka për të jetuar ose punuar?

Unë do të thoja që të lexonin stoikët. Ata të mësojnë që të mos e çash kokën çfarë thojnë të tjerët. Ti poston diçka dhe njerëzit duan të të bullizojnë, nëse do i takoje këta njerëz nuk do të shpenzoje 1 sekond me ata. Nuk duhet lënë që një koment të na bezdisë, nuk duhen lexuar fare sepse ju jep vlerë. Unë kritikat do i mirëprisja vetëm nga miqtë e mi. Pavarësisht sa të trashë e kanë lënë mjekrën, apo barkun e madh kjo nuk do të thotë se janë burra. Nëse ti ke nevojë ta shprehësh burrërinë ka një problem. 

“Nëse ka burrë ka edhe dhunë”, si e komenton Blendi këtë shprehje shqetësuese?

Nëse shikoni boksierët, si Florian Marku, ata nuk rrihen rrugëve, nuk e bëjnë, e kanë forcën por dinë ku ta përdorin. Një boksier i vërtetë nuk e ushtron superioritetin e tij për sherre rrugës. Burri i vërtetë nuk ka pse të ketë frikë nga ngjyra rozë. Prindërit tremben se me çfarë do të përballet një djalë në shoqëri, mundohen ta mbrojnë.