Aktualitet

Kontrolle në Durrës dhe Mat/Arrestime të shtetasve me armë të ftohta e zjarri, pa leje!

Një 17-vjeçar ra në prangat e policisë së Durrësit, pasi mbante pistoletë me vete. Adoleshenti u arrestua në flagrancë pas informacioneve bazuar në inteligjencën policore. Ai u prangos në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që mbajnë armë, pa leje.

Kontrollet për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që mbajnë armë pa leje vazhdojnë në Durrës dhe gjatë tyre, shërbimet policore kapën e arrestuan në flagrancë 17-vjeçarin nga Durrësi. Ai lëvizte me pistoletë me vete në rrugët e qytetit. Si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas lëvizte i pajisur me armë zjarri, në lagjen nr. 13, shërbimet e stacionit të Policisë Plazh ndërhynë menjëherë për kapjen e tij.

Në pranga u vu shtetasin K.Gj., 17 vjeç, banues në Durrës, pasi nga kontrolli fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë. Hetimet e mëtejshme për armëmbajtje pa leje do të kryhen nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Në një tjetër zhvillim, një 30-vjeçar nga Burreli u vu në pranga pasi iu gjetën armë të ftohta. Gjatë kontrollit në banesë, iu zbuluan 11 thika të përmasave të ndryshme, municion luftarak e një shkop bejsbolli, që iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Po ashtu, u arrestua një 39-vjeçar nga Mati, i shpallur në kërkim për importimin në vendin tonë të një automjeti që kërkohej nga Interpoli.

Shtetasi A.K dyshohet se në kundërshtim me ligjin, ka importuar drejt vendit tonë një automjet që kërkohej nga Interpol.