Aktualitet

Korçë, video e djegies së dy makinave në dy lagje të qytetit!

Digjen dy automjete në Korçë, shoqërohen në polici autorët e dyshuar, 4 adoleshentë të moshave 16, 17 e 18-vjeç. Në orët e para të mëngjesit, makinave iu vu flaka në lagjet nr.4 dhe 14 të qytetit juglindor. Nuk pati të lënduar, por dëme materiale. Dyshohet se dy javë më parë, të rinjtë kanë patur konflikte për motive të dobëta me pronarët e mjeteve.

Njoftimi i Policisë Korçë: 

Më datë 19.03.2024, rreth orës 02:00, në lagjet nr. 4 dhe 14, Korçë, ka rënë zjarr në automjetet e shtetasve G. C., dhe J. G., ku si pasojë e zjarrit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, ku nga veprimet e para hetimore u identifikuan autorët e dyshuar të ngjarjes. Konkretisht shtetasi K. Sh., 18 vjeç; dy 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet të kenë djegur automjetet pas një konflikti për motive të dobëta, të ndodhur rreth dy javë më parë, me pronarët e automjeteve G. C. dhe J. G.

Në ambientin e Komisariatit ndodhen të shoqëruar 4 autorët e dyshuar të ngjarjes, për veprime të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentet e vënies së zjarrit:

Për korrespondenten e Top Channel, gjyshja e djalit që iu dogj makina, u shpreh se disa ditë më parë, nipi ishte zënë me disa djem të tjerë, por arsyen nuk e di. Ata u njoftuan nga fqinja për djegien e mjetit, pasi të gjithë ishin në gjumë.

Çfarë ndodhi mbrëmë?

Gjyshja: Ne po flinim mbrëmë, na lajmëroi komshia, ishte ngritur ajo se ka një fëmijë të vogël. U ngrit për fëmijën kur pa zjarrin. “Shpejt zjarr” na tha neve! Ku ka rënë ky zjarri thamë ne? U ngrit djali pastaj, nipi mori markuçin, e shuajtëm vetë.

Kush kishte konflikte nga familjarët tuaj?

Gjyshja: Ne nuk kishim asnjë konflikt, ky ishte zënë me ca djem.

Kush, nipi?

Gjyshja: Po, nipi, siç bëjnë djemtë. Një e gjysmë ka qenë ora, nuk e di pse e bënë.

Dëgjuat zhurmë nga djegia, pati shpërthime?

Gjyshja: Asgjë nuk dëgjuam, na njoftoi komshija. E mori në telefon nipin dhe i tha “shpejt se po të digjet makina”.