Bota

Koreja e Veriut i thotë “JO” bisedimeve me Amerikën mbi programin bërthamor!

Koreja e Veriut refuzon bisedimet me Uashingtonin lidhur me programin bërthamor dhe e cilëson “false” diplomacinë amerikane. Për vendin komunist, nuk ka dyshime se “presidenti Biden synon të zbatojë politika armiqësore”.

Më herët, Biden i tha Kongresit se “programet bërthamore të Koresë së Veriut e Iranit, përbëjnë kërcënim për sigurinë amerikane dhe atë në botë”.

Ne do të punojmë nga afër me aleatët tanë për të adresuar kërcënime që vijnë nga këto dy shtete, qoftë përmes diplomacisë, por edhe parandalimit të rreptë!

Koreja e Veriut i cilëson “të gabuara” e “të patolerueshme” fjalët e shefit të Shtëpisë së Bardhë. Ministria e Punëve të Jashtme reagoi përmes një deklarate të publikuar sot nga media shtetërore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hyjnë në një përballje gjithëpërfshirëse duke kritikuar gjendjen e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut dhe ofenduar dinjitetin e udhëheqësit Kim Jong-un.

Ende nuk saktësohen komentet për të drejtat e njeriut por e përditshmja amerikane “Washington Post” raporton se Shtëpia e Bardhë pritet të emërojë një të dërguar special për këto të drejta në Korenë e Veriut.

Deri tani, Pheniani nuk e ka pranuar Joe Biden-in si president të SHBA-ve. Gjatë fushatës presidenciale, Biden iu referua Kim-it si “bandit” dhe deklaroi se “çarmatimi bërthamor i Koresë Veriore duhet të ndodhë para se të hiqen sanksionet amerikane e të Kombeve të Bashkuara për vendin aziatik”, ndonëse nuk e hodhi poshtë mundësinë e diplomacisë.

Para’ardhësi i Biden-it, Donald Trump, ishte presidenti i parë amerikan, i cili u takua tre herë me liderin koreano-verior por dështuan të arrinin marrëveshje.