Rajoni

Kosova dhe Mali i Zi firmosin marrëveshje për shërbimet ajrore!

Kosova e Mali i Zi nënshkruan marrëveshje për shërbimet ajrore, që mundëson shkurtimin e kohës së udhëtimeve dhe synon të ulë çmimet e biletave për udhëtarët. Firmosja u bë gjatë vizitës në Kosovë të kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Pas takimit me homologun Albin Kurti, Abazoviç tha se “kjo marrëveshje është në kuadër të disa projekteve të dy qeverive, që synojnë të përmirësojnë klimën rajonale të bashkëpunimit”.

Idea jonë është të krijojmë më shumë mundësi për qytetarët e të dy vendeve. Nëse ka lëvizje, akses më të lehtë, shkëmbim të mallrave, qarkullimi i njerëzve e bizneseve do të jetë shumë më intensiv dhe kjo krijon një klimë rajonale shumë më të mirë.

Në takim biseduan edhe për të tjera projekte infrastrukturore, që do të përmirësonin lidhjen mes dy shteteve. Ndërkaq, Kurti u shpreh se marrëveshja e nënshkruar për shërbime ajrore ishte “hap sa i rëndësishëm, po aq i domosdoshëm” për rregullimin e hapësirës ajrore mes dy shteteve.

Marrëveshja që nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta. Një kompani ajrore që ka fluturuar katër herë në ditë, me këtë marrëveshje lehtësisht mund ta shtojë edhe një fluturim. Pastaj, zvogëlon emetimin e gazrave të dëmshme si dhe ul koston e fluturimeve, që ndikojnë në çmim të biletave për udhëtarët.

Marrëveshja mundëson që korridoret ekzistuese ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, që deri tani janë shfrytëzuar për fluturime ushtarake të NATO-s, të përdoren edhe për Aviacionin Civil. Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës menaxhon hapësirën e ulët ajrore të shtetit, ndërsa e larta, mbi 6 mijë e 200 metra është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo për faktin se Kosova ende nuk ka kapacitete të duhura për të menaxhuar hapësirat e larta ajrore.

Gjatë konferencës për shtyp, Abazoviç vuri në dukje se Mali i Zi do të përkrahë Kosovën në aplikimet për anëtarësim në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë. Ai theksoi se pavarësisht se ka pasur “disa procese politike” në shtetin e tij, politika zyrtare e Malit të Zi ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë.

Duket se iu referua zgjedhjes së Jakov Milatoviçit në postin e presidentit, i cili edhe vetë ka deklaruar se nuk do të ketë tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 2008-ën.