Aktualitet

Kreu i SPAK-ut flet për çështje të hapura, nuk jep emra!

Ata që shkelin ligjin i pret një vit i vështirë.

Kjo u deklarua sot nga kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, referuar vitit 2022, kur siç theksoi, “do të ketë hetime intensive për korrupsion”.

Lidhur me skandalin më të fundit, publikimin e pagave e të targave të makinave të mijëra shqiptarëve, Kraja vuri në dukje se deri tani, nuk ka elementë që e lidhin daljen e të dhënave personale të qytetarëve, me kompetenca të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar. Por, ai garantoi hetime nëse ka indicie.

Prokuroria e Posaçme vepron sipas kompetencave dhe nxjerrja e të dhënave publike nuk është në kompetencë. Nëse do të ketë elementë për ne do të ketë hetim!

I pyetur se çfarë do të thotë “peshk i madh” për SPAK-un, Arben Kraja u shpreh:

Peshk i madh nuk ekziston në konceptin tonë. Ne kemi dy seksione: një që lufton krimin e organizuar e një që lufton korrupsionin dhe rezultatet kanë qenë publike. Kushdo që abuzon me fondet publike do të jetë subjekt i hetimeve tona. Ne kemi çështje të hapura për shumë elementë. Nuk mund të jap emra!

Për juristët, publikimi i të dhënave personale nuk është vetëm thyerje e privatësisë. Duke i publikuar këto të dhëna personale të shqiptarëve, mund të kemi rritje të kriminalitetit në aspektin e krimit kibernetik, hakera të ndryshëm, të cilët mund të orientojnë operacionet e tyre tek shumë njerëz, të cilëve u dinë edhe pagën. Për publikimin e targave të makinës, dikush që bën një krim, tashmë e ka shumë më të lehtë, për të ndjekur viktimën e tij.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, SPAK-ut, Arben Kraja foli sot pas pjesëmarrjes në mbledhjen e dytë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, ku gjithashtu u diskutua harta e re gjyqësore.