Aktualitet

Krimet zgjedhore, blutë e Tiranës shpallin në kërkim kandidatin e LSI-së Tiranë, Etion Joka

Policia e Tiranës shpalli në kërkim kandidatin për deputet të LSI-së, Etion Joka lidhur me video-skandalin ku shfaqej duke dhënë para’ për vota. Joka akuzohet “Për korrupsion aktiv në zgjedhje”. Për të njëjtin rast por me akuzën e korrupsionit pasiv u ndalua 30-vjeçari Elis Babo.

Njoftimi i Policisë Tiranë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” të shtetasit E. B., 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” shtetasin E. J., 32 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik për qarkun e Tiranës.

Në kuadër të procedimit penal, datë 23.04.2021 të SPAK-ut dhe bazuar në pamjet filmike të transmetuara në media dhe rrjete sociale, këta dy shtetas janë të dyshuar për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar disa kontrolle por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e shtetasit E. J.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të shtetasit E. B., për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”  dhe në ngarkim të shtetasit E. J., për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Kandidati Joka i shpallur në kërkim reagoi në një postim në rrjetet sociale duke pretenduar se ishin “montazh” pamjet e transmetuara në emisionin “Breaking” në Top News.

Çështjen e këtij montazhi do ta ndjek edhe në rrugë ligjore pas 25 Prillit.