Rajoni

Kryeministri Abazoviç: “Do të jem në takimin e Ballkanit të Hapur, por jo si përfaqësues i Malit të Zi!”

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç tha sot se “agresioni rus në Ukrainë shërben edhe për të kujtuar vendet e Ballkanit Perëndimor për luftërat që kaluan”.

Kemi kaluar nëpër agresione e katastrofa humanitare dhe e dimë se çfarë do të thonë krimet e luftës. Eshtë detyrim i çdo vendi në Ballkanin Perëndimor të kontribuojë, që të arrihet sa më parë paqja, të ruajë vlerat universale, të mbrojë trashëgiminë demokratike dhe integritetin territorial të Ukrainës e çdo shteti tjetër të pavarur në botë.

Duke folur për takimin e ardhshëm në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Abazoviç vuri në dukje se “qëllimi i vetëm dhe më i lartë i politikës së jashtme të Malit të Zi është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian”.

Nuk na intereson asnjë zëvendësim për këtë. Por, çdo gjë që mund të përdorim si mekanizëm për të arritur këtë qëllim, për ne është plotësisht i pranueshëm.

Abazoviç konfirmoi se në takimin e “Ballkanit të Hapur” do të shkojë si i ftuar dhe jo që të përfaqësojë Malin e Zi si vend anëtar të iniciativës. Komentet i bëri gjatë Samitit të Demokracisë së Europës Juglindore, po në Malin e Zi.

Do të shqyrtojmë gjithçka që është e mirë për vendin. Nëse rezulton se është në favor të synimeve tona, sa i përket politikës së jashtme, nuk kam asgjë kundër bashkimit të plotë në nismë. Nëse jo, atëherë do të shohim mënyrën si do të organizohemi.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, Mali i Zi drejtohej nga Partia Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale. Mbështetje për të nuk kanë dhënë as Kosova e Bosnje-Hercegovina.