Aktualitet

Kryeministri Rama paralajmërime kryebashkiakëve, Basha: “Peshku qelbet nga koka!”

Kryeministri Edi Rama ftoi sot kryebashkiakët që të studiojnë paketën e re ligjore në fushën e prokurimeve publike dhe të mos përzihen me proceset e prokurimit publik.

Mos influenconi në favorizimin e njërit në favor të tjetrit, mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithmonë e më përvëlues, në kushtet kur drejtësia e re do të ketë gjithë mbështetjen time apo të PS-së kundër kujtdo që do të luaj me zjarrin!

T’i vini mirë gishtin kokës dhe të kuptoni se mandati i tretë kërkon përkushtim e seriozitet të trefishtë ndaj popullit, agjencive dhe drejtorive të nivelit ekzekutiv!

Rama tha se për prokurimet publike ka kërkuar reformimin e mëtejshëm dhe pas një pune 2-vjeçare, u miratua dhe sapo ka hyrë në fuqi paketa e re ligjore në fushën e Prokurimeve Publike. Ndërkaq, u ndal te problematikat e ndeshura gjatë periudhës Janar 2020-Prill 2021.

Janë asistuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike, APP 1.275 procedura të publikuara nga institucionet bashkiake! 88.5% e procedurave rezultuan me problematika në hartimin e kritereve ndaj bashkive përkatëse u janë dërguar rekomandime preçize nga APP. 52.5% e bashkive nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim!

Pas hetimit administrativ të 136 procedurave të prokurimit, të kryera nga bashki ose institucione të tyre të varësisë, janë konstatuar: përzgjedhje të pajustifikuara të procedurës së prokurimit me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës; probleme në përllogaritjen e  fondit limit; vendosje kriteresh të veçanta të kualifikimit që nuk kanë lidhje fare me objektin e kontratës; kualifikim dhe shpallje fitues të operatorëve ekonomikë që nuk plotësojnë kriteret e kualifikimit. Janë dënuar me gjobë 156 punonjës dhe me masë disiplinore 62.

Kryeministri paralajmëroi:

Do të kalohet pa ngurrim nga ana jonë këtu në këtë godinë, nga dënimi me gjobë në denoncim në SPAK, në çdo rast kur shkeljet përbëjnë një dyshim shumë të arsyeshëm për tender korruptiv dhe do të jetë kushdo qoftë prej jush, unë shpresoj askush, por kushdoqoftë prej jush, por jo unë, as PS, që do të shkojë para hetuesve të SPAK për të dhënë shpjegime!

Sot në mbledhjen me kryebashkiakët e vendit, kryeministri Rama njoftoi përjashtimin nga Partia Socialiste të kreut të Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe, për t’u përballur i vetëm me drejtësinë që e akuzon për korrupsion.

Kryedemokrati Lulzim Basha reagoi pas takimit të kryeministrit Rama me kryetarë të bashkive.  Në një mesazh në “FB”, Basha shkruan:

Mund të lash duart me një kryebashkiak të korruptuar apo të bësh koka turku bedelët e tu në atë sallë, por shqiptarët e dinë mirë se peshku qelbet nga koka!

Rama u shpreh se “kryetari i Bashkisë Lushnjë do të shkarkohet nga detyra dhe përjashtohet nga PS-ja, masa që do të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit del i pafajshëm”.