Aktualitet

Kushtetuesja zbardh vendimin për 30 qershorin, Voltana Ademi nuk kishte legjitimitet!

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e saj për të lënë në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019.

Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese u paraqit nga Shoqata e Bashkive, por Kushtetuta përcakton se për të vënë në lëvizje gjykatën kjo duhej bërë nga “subjektet e përcaktuara nga vetë Kushtetuta si të tilla që të mund të kërkojnë gjykimin e një mosmarrëveshjeje kushtetuese”.

Vendimi është marrë me votë unanime, por një anëtare, Sonila Bejtja ka paraqitur mendim ndryshe.

Në arsyetimin e saj, znj. Bejtja thotë se ngjarjet para zgjedhjeve, duke nisur nga djegia e mandateve dhe bojkoti përbëjnë “mosmarrëveshje kushtetuese”.

Procesi zgjedhor në këto kushte, thotë anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, “përbën mohim të së drejtës së votës dhe cenim  të së drejtës kushtetuese për votë të barabartë, të lirë dhe të fshehtë” pasi në 31 bashki pati vetëm një kandidat.

Anëtarja Sonila Bejtja thekson se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion që të shqyrtojë një mosmarrëveshje të tillë por “kërkesa nuk është paraqitur nga një prej subjekteve që legjitimohen për ta vënë në lëvizje atë”.

“Gjykata Kushtetuese, sipas Kushtetutës, gëzon juridiksion kushtetues të plotë që të shqyrtojë mosmarrëveshjen objekt gjykimi, por për shkak se kërkesa nuk është paraqitur nga një prej subjekteve që legjitimohen për ta vënë në lëvizje atë, sidomos subjektet e përcaktuara nga vetë Kushtetuta si të tilla që të mund të kërkojnë gjykimin e një mosmarrëveshjeje kushtetuese lidhur me përcaktimet e nenit 124 të Kushtetutës, kërkesa rrëzohet vetëm për këtë shkak“.

Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit të Republikës, Kryeministrit; jo më pak se një të pestës së deputetëve, Avokatit të Popullit ose Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Më tej, theksohet se kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese për verifikimin e zgjedhjes duhet të identifikojë funksionarin publik, shkeljen kushtetuese që pretendohet se është kryer gjatë procesit të zgjedhjes së tij, si dhe aktin konkret që materializon shkeljen kushtetuese.

Për pasojë, arsyeton vendimi, procedura e verifikimit të zgjedhjes së funksionarëve të organeve të parashikuara nga Kushtetuta duhet parë e lidhur me këto koncepte dhe jo e lidhur me vlerësimin, qoftë edhe në aspektin e kushtetutshmërisë, të procesit zgjedhor në tërësinë e tij.

Më tej, Gjykata vlerëson se në çështjen e paraqitur nga kërkuesja nuk është individualizuar funksionari/funksionarët e organeve kushtetuese, për të cilët kërkohet verifikimi i zgjedhjes së tyre, shkelja kushtetuese që pretendohet se është kryer gjatë procesit të zgjedhjes, si dhe akti konkret që materializon shkeljen kushtetuese. Nga ana tjetër, kërkuesja nuk është as subjekt zgjedhor dhe as organ kushtetues me kompetenca në procesin zgjedhor.

Kujtojmë se çështja për zgjedhjet e 30 qershorit, u ankimua nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, në objektin e gjykimit ka kërkuar konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. Dhe në verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.

Më herët, Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion final në lidhje me zgjedhjet.

Sipas opinionit final të Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese nuk e ka në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor. Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 Qershorit.